
Kriptovalutat u ndaluan ne Kosove, prodhuesit po shesin pajisjet
Vendimi i Qeverisë për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave, ka bërë që qytetarët të fillojnë t’i shesin pajisjet e tyre, nga të cilat kanë fituar mijëra euro vitet e fundit.
Njoftimet për shitje po bëhen kryesisht në grupe të ndryshme në rrjetet sociale, ku zakonisht diskutohet vetëm për çështjen e kriptovalutave. Çmimet janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga 1,500 e deri në 8 mijë euro, varësisht prej pajisjes.
Radio Evropa e Lirë ka komunikuar me disa prej tyre, të cilët në kushte anonimiteti kanë thënë se janë detyruar t’i ndalin pajisjet, të cilat i kanë blerë më shtrenjtë dhe tash po i shesin më lirë.
Njëri prej tyre tha në një përgjigje me shkrim se është detyruar t’i shesë tri pajisjet e tij, pasi nuk dëshiron të veprojë në mënyrë kundërligjore. “I kam pasur tri pajisje dhe të tria i kam shitur, sepse Qeveria nuk ka dhënë afat se për sa kohë do të ndalohet prodhimi i kriptovalutave.
Po të kishte një afat, do t’i ndalonim përkohësisht. Të tri pajisjet i kam shitur 1,500 euro”, tha ai. Shitblerja e pajisjeve për prodhim të kriptovalutave po bëhet edhe në një grup me qindra qytetarë në aplikacionin ‘Telegram’.
“Kam filluar qe më shumë se 6 muaj të prodhoj kriptovaluta. Për momentin kam një pajisje (Rig 5700xt 6-GPU). E kam blerë 7 mijë euro. Pesë mijë euro i kam marrë kredi për ta blerë. Çdo muaj prej kësaj pajisje i kam fituar 500 deri 600 euro”, tha njëri prej tyre në kushte anonimiteti.
Vendimi i Qeverisë për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave, sipas tij, është pak i ngutshëm dhe shpreson që i njëjti të anulohet. Ai tha se ende nuk ka vendosur nëse do ta shesë pajisjen, pasi që, sipas tij, nuk shpenzon shumë rrymë.
Bie çmimi i pajisjeve
Përveç shitjes së pajisjeve, qytetarët kanë filluar t’i tërheqin fitimet e tyre të fituara nga prodhimi i kriptovalutave.
Në njërën nga kompanitë për këmbimin e kriptovalutave në Prishtinë, thonë se ata qytetarë që kanë kritpovaluta, tashmë kanë filluar t’i tërheqin fitimet, ndonëse aktualisht vlera e tyre ka rënë.
Ardian Alaj, bashkëpronar i njërës prej kompanive për këmbim të kriptovalutave, tha se me 4 dhe 5 janar ka qenë një fluks më i madh i njerëzve, të cilët kanë këmbyer valutat e tyre.
Ai tha se vendimi i Qeverisë nuk ka pasur shumë sqarime dhe njerëzit ndihen të rrezikuar se çfarë do të ndodhë me valutat e tyre.
“Kemi klientë të rregullt që çdo muaj vijnë i konvertojnë fitimet e tyre për nevoja të rrymës, internetit dhe nevojat e tyre personale, por këto dy ditë fluksi i njerëzve ka qenë më i madh dhe sasia e këmbimit të valutave ka qenë shumë e madhe krahasuar me muajt paraprakë”, tha Alaj.
Sipas tij, pas vendimit të Qeverisë për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave, ka filluar të bjerë çmimi i pajisjeve në faqe të ndryshme online ku qytetarët i postojnë fotografitë e pajisjeve të tyre.
“Ajo çka po vërehet është se çmimi i pajisjeve ka pësuar rënie shumë të madhe. Zakonisht blerja e një pajisje, ka kushtuar deri 5 mijë euro, tash mund të gjendet në treg me 2,000-2,500 euro”, tha Alaj.
Sipas Doganës së Kosovës, vetëm gjatë vitit 2021, në Kosovë janë importuar pajisje për prodhim të kriptovalutave në vlerë rreth 600 mijë euro.
Qeveria e Kosovës ka njoftuar të martën, më 4 janar, se institucionet kompetente do të angazhohen që të ndalojnë prodhimin e kriptovalutave, pasi dyshohet se pajisjet me të cilat prodhohen ato, shkaktojnë konsum të lartë të energjisë elektrike./Burimi:REL
Më të lexuarat








