Secondary Adv

Rriten treguesit e besimit ne ekonomi, perkeqesohet sektori i ndertimit

Për herë të parë pas disa muajsh në rritje, besimi në sektorin e ndërtimit ka pësuar një rënie të fortë në fund të vitit 2021.

 

Sipas të dhënave të BSH në fund të dhjetorit besimi në ndërtim u ul me 11.7% dhe shkak për këtë rënie sipas raporti është mungesa e porosive dhe reduktimi i aktivitetit ndërtues. “Rënia e besimit pasqyroi vlerësimin e bizneseve për një nivel më të ulët si të aktivitetit ndërtues ashtu dhe të porosive aktuale.

 

Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në ndërtim shënoi vlerën 68.4% për tremujorin e katërt të vitit, rreth 0.8 pikë përqindje më e ulët se një tremujor më parë. Edhe treguesi i gjendjes financiare pësoi rënie”, thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë.

 

Ndërkohë besimi i përgjithshëm në ekonomi u rrit me 0.9% në muajin dhjetor, por ritmi i rritjes ka qenë i ngadaltë. “Rritja e Treguesi i ndjesisë ekonomike në muajin dhjetor u përcaktua nga përmirësimi i besimit konsumator dhe i besimit në sektorët e industrisë, të shërbimeve dhe të tregtisë.

 

Nga ana tjetër, besimi në sektorin e ndërtimit ka pësuar një rënie të dukshme, duke e ngadalësuar prirjen rritëse të TNE-së në këtë muaj”, thuhet në raportin e BSH.

 

Sa i takon sektorit të industrisë besimi u rrit me 1.5% krahasuar me muajin nëntor, dhe kontribut ka dhënë ecuria pozitive të prodhimit dhe kontratave porositëse në total.

 

Në tregti besimi është rritur me 3.2% krahasuar me muajin paraardhës. Kjo rritje është ndikuar nga vlerësimet e bizneseve për ecurinë aktuale të biznesit të tyre dhe gjithashtu nga pritjet për nivelin e punësimit

 

Rritje është regjistruar edhe tek treguesit e besimit konsumator prej 1.7 % në muajin dhjetor. Rritja u ndikua nga të gjithë komponentët përbërës të këtij treguesi.

 

Përmirësimet më të dukshme i shënuan blerjet aktuale dhe pritjet për blerjet gjatë muajve të ardhshëm. Komponentët e pritjeve për situatën financiare dhe situatën ekonomike regjistruan rritje më të lehtë./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat