Secondary Adv

Performanca e Bashkive ne 2021 me e larta qe prej 2010

Bashkitë kanë pasur një performancë pozitive në 2021, ku në 11 muaj kanë mbledhur afro 25 miliardë lekë apo 206 milionë euro të ardhura.

 

Sipas treguesve zyrtarë të financave, krahasuar me të njëjtën periudhë të viteve të mëparshme që nga 2010, kjo është vlera më e lartë e mbledhur ndonjëherë, duke tejkaluar planin me 2 miliardë lekë, ndërsa anë raport me 2020, rritja është me 5.1 miliardë lekë.

 

Peshën më të madhe e kanë mbajtur taksat lokale, me afro 19 miliardë lekë, për shkak se u mblodhën edhe një sërë taksash që i takonin 2020, por që u shtyn për t’i ardhur në ndihmë bizneseve dhe qytetarëve në kushtet e e vështirësisë ekonomike që po përjetonin si pasojë e masave kufizuese anti COVID.

 

Nga taksat lokale u mblodhën 4.2 miliardë lekë më shumë se në 11 mujorin 2020. Po ashtu, rritje të ndjeshme kanë pasur edhe të ardhurat nga taksa e pasurisë.

 

Për periudhën Janar-Nëntor 2021 janë mbledhur afro 5.6 miliardë lekë, apo 1 miliardë lekë më shumë se një vit më parë.

 

Ndikim në këtë zë ka dhënë rivlerësimi i pasurive dhe taksimi në bazë të vlerës së tregut, edhe pse ligji nuk është zbatuar tërësisht në të gjitha bashkitë.

 

Ndërsa nga taksa mbi biznesin e vogël janë mbledhur vetëm 374 milionë lekë, shifër kjo thuajse në të njëjtat nivele të viteve të kaluara./Burimi: SCAN


Më të lexuarat