Perkeqesohet situata epidemiologjike, rriten rastet ne Kosove
Në fund të dhjetorit Kosova identifikoi rastet e para me variantin Omicron, por arriti ta përmbyllë një vit me situatë të qetë epidemiologjike.
Tani në ditët e para të janarit situata po përkeqësohet. Ndonëse në fund të vitit të shkuar Kosova ishte vendi me gjendjen epidemiologjike Covid-19 më të mirën në rajon, situata po ndryshon me fillimin e vitit.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, tha këtë të hënë (10.01) se situata epidemiologjike në Kosovë mund të përkeqësohet si pasojë e përhapjes së variantit Omicron të koronavirusit.
Numri i të infektuarve ishte njëshifror në fund të vitit të shkuar, por aktualisht brenda dite po regjistrohen qindra raste me Corona. Vetëm në 24 orët e fundit ishin 304 raste. Instituti bën thirrje për respektim të masave dhe të mos ketë grumbullime të njerëzve.
Më 26 dhjetor 2021, Kosova identifikoi rastet e para me variantin Omicron të koronavirusit dhe përmbylli një vit me situatë të qetë epidemiologjike, por tani situata ka ndryshuar.
“Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së COVID-19, bëjmë thirrje në veçanti për kujdes dhe mos-grumbullim. Ndërsa, rekomandojmë institucionet përgjegjëse të mbikqyrin me përpikmëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave për parandalimin dhe luftimin e pandemisë.
Është i domosdoshëm kujdesi i shtuar i të gjithëve që në mënyrë strikte të respektohet distanca fizike, të përdoren maskat, të bëhet dezinfektimi dhe ajrosja e hapësirave, duke pamundësuar dhe shmangur përhapjen eventuale të mëtejme të infeksionit të COVID-19”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
Nuk ka mungesa në vaksina
Vaksinimi është mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga virusi, duke ju rikujtuar qytetarëve se “mund të imunizohen çdo ditë në të gjitha institucionet e kujdesit parësor nëpër komunat e Kosovës”, thekson instituti përgjegjës për pandeminë.
Ndryshe nga viti i kaluar, Kosova nuk përballet me mungesë të vaksinave imunizuese për Covid-19. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, 49.2% e qytetarëve janë vaksinuar me dozën e parë të vaksinës, ndërsa 43.9% me dozën e dytë.
Ministria e Shëndetësisë bënë të ditur se vaksina ka mjaftueshëm, mbi 400 mijë të tilla aktualisht janë në dispozicion, ndërsa, sipas nevojës mund të kontraktohen të tjera.
Kosova nisi fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit në fund të marsit të 2021, ndërkaq nga fillimi i dhjetorit të vitit të shkuar, ka nisur edhe me dozën e tretë përforcuese. Nga 09.12.- 01.01. të këtij viti. 2,093 qytetarë kanë marrë dozën e tretë. Burimi: DW