Rritja rekord e infektimeve me Covid-19, mblidhet sot Komiteti Teknik i Eksperteve
Sot në orën 10:30 do të mblidhet Komiteti Teknik i Ekspertëve, ku nuk dihet nëse do të ketë ashpërsim apo jo të masave ndaj Covid-19.
Rastet e infektimeve me COVID-19 kanë shënuar shifra rekord në vendin tonë gjatë javës së fundit. Prezenca e variantit ‘Omicron’ në Shqipëri, që është edhe më lehtësisht i transmetueshëm, ka dhënë efektet në infektimin e qytetarëve.
Pavarësisht rritjes së ndejshme të shifrave të infektimeve, virusi duket se ha humbur fuqinë, pasi shtrimet në spitale vijojnë të jenë në kontroll dhe të mos ketë rritje të konsiderueshme.
Për rritjen rekord të infektimeve në vend, sot në orën 10:30 do të mblidhet Komiteti Teknik i Ekspertëve, ku nuk dihet nëse do të ketë ashpërsim apo jo të masave.
Ndërsa mjekët dhe autoritet bëjnë apel në vaksinimin e popullsisë dhe marrjen e dozës së tretë përforcuese, nga 4 janari administrata publike dhe punonjësit e marketeve dhe qendrave tregtare po paraqiten në punë me vaksinë antiCOVID ose test negativ çdo 5 ditë.
Masat anti-COVID që janë në fuqi:
-​Ora policore vijon me orën 23:00 – 06:00.
-​Vijon që qytetarët që hyjnë në Republikën e Shqipërisë, nga të gjitha pikat kufitare apo ata që kalojnë tranzit, duhet të vijojnë të dorëzojnë një nga dokumentet e mëposhtme:
•​Pasaportë vaksinimi, ku data e vaksinës së fundit të ketë të paktën dy javë e aplikuar nga data e hyrjes në kufi.
•​Test PCR, të kryer brenda 72 orëve ose testin e shpejtë antigenic brenda 48 orëve të hyrjes në kufi.
•​Provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov-2 të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.
•​Përjashtim nga rregullat e përcaktuara në pikën 2, bëhet për fëmijët deri në moshën 6 vjeç.
•​Qytetarët rezidentë të Republikës së Shqipërisë dhe që nuk kanë asnjë nga dokumentet e përmendura në pikën 1, duhet të vetë izolohen për një periudhë 10 ditore dhe të informojnë autoritetet shëndetësore për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit.
-​Vijon që në strukturën e aerorporteve do të lejohen të hyjnë vetëm pasagjerët që udhëtojnë, të cilët duhet të zbatojnë me rigorozitet mbajtjen e maskës ashtu sic është rekomanduar sipas protokollit të ndryshuar.
-​Vijon të mbetet në fuqi që në të gjithë institucionet shëndetësore, moslejimi i hyrjes së familjarëve për personat që janë të shtruar.
-​Vijon të mbetet në fuqi urdhri për përdorimin e maskave në ambiente të mbyllura, në qendra tregtare, supermarkete, dyqane etj, e në të gjithë ato vende ku nuk sigurohet distancimi fizik.
-​Vijon të mbetet në fuqi urdhri për lejimin e grumbullimeve deri në 50 persona dhe të aktiviteteve kulturore, sportive etj deri në 30% të kapaciteteve të tyre me prezencë të spektatorëve./Burimi: Shqiptarja.com