Komiteti i Eksperteve merr vendimin: Nuk ndryshojne masat anti-Covid
Komiteti teknik i Ekspertëve tha se këto dy javë të fundit u shënua piku më i lartë i infektimeve, por masat nuk do të ndryshojnë.
Rastet e infektimeve me COVID-19 kanë shënuar shifra rekord në vendin tonë gjatë javës së fundit. Komiteti teknik i Ekspertëve tha se këto dy javë të fundit u shënua piku më i lartë i infektimeve në dy vite pandemi, por masat nuk do të ndryshojnë.
Zv. ministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini tha se këto dy javë u shënua piku më i lartë i infektimeve në dy vite pandemi.
“Janë rritur infektimet në dy javët e fundit për pasojë të variantit Delta dhe Omicron dhe mosrespektimit të grumbullimeve gjatë festave të fundviti. Fatmirësisht kemi qëndrueshmëri në shtrimet në spitale, nuk është reflektuar rritje e shtrimeve.
Gjatë kësaj periudhë është shënuar piku më i lartë në dy vite pandemi”, tha Tomini.
Zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli tha se përtej rritjes së infektimeve masat në fuqi janë në përputhje me zhvillimet dhe nuk do të ketë ndryshime.
‘Do të vijojnë të mbeten të njëjtat masa në fuqi. Apelojmë që të respektohen të gjitha masat dhe të qytetarët të vaksinohen”, tha Rakacolli
Rakacolli tha se në fuqi mbeten masat “​Ora policore vijon me orën 23:00 – 06:00, vijon të mbetet në fuqi urdhri për lejimin e grumbullimeve deri në 50 persona dhe të aktiviteteve kulturore, sportive etj deri në 30% të kapaciteteve të tyre me prezencë të spektatorëve”.
Shefja e departamentit të epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino, ka dhënë shifrat e vaksinimit në vend.
"Vaksinimi është sfida më e madhe në lidhje me pandeminë. këtë javë është shtuar ritmi i vaksinimeve në të gjithë vendin. Kemi pasur shifra të lartë këtë javë, sidomos me dozën e parë, ka një rritje dyfish.
Në popullatën target kemi vaksinim 52.7% me një dozë, 47.3% me 2 doza, 7.7% me 3 doza. Sa i përket popullatës në përgjithësi kemi 42.4% me një dozë dhe me të dyja dozat përreth 38%", tha ajo./Burimi: Shqiptarja.com