Informaliteti, ja 4 sektoret ku do fokusohet kontrolli i Tatimeve
Qasja që do ketë administrata tatimore ndaj informalitetit gjatë këtij viti do përqendrohet në katër sektorë kryesore që kanë edhe ndikim të veçantë në ekonomi.
Sipas draft programit të reformave ekonominë 2022-2024, për këtë vit do të miratohet Plani i Përmbushjes që do të fokusohet tek turizmi, subjekte kafe-restorante, ndërtimi dhe pagat.
Në dokument thuhet se do të mbahet parasysh identifikimi dhe analizimi i sjelljeve deviante nga subjektet që tentojnë të përfitojnë nga pragjet tatimore si skema feniks, nëndeklarim i shitjeve, mosdeklarim i blerjeve, etj. Konkretisht qeveria parashikon rritje me 4% çdo vit të TVSH se pagueshme ne sektorin e turizmit;
Reduktimin e punës se padeklaruar dhe rritje me 1% çdo vit të punonjësve te deklaruar, reformë që do të prekë afro 702 mijë punonjës, si dhe uljen me 3% çdo vit të numrit të pagave të nëndeklaruara ne nivelin minimal ose me pak, ku për vitin 2021 identifikohen rreth 339 mijë paga të tilla.
Ndërkaq, sipas dokumentit, administrata tatimore ka marrë në mënyrë të vazhdueshme masa në luftën ndaj informalitetit gjate periudhës se vitit 2021.
Ku janë marrë hapa konkrete në dërgimin e letrave të personalizuara, ne baze te kritereve te riskut te miratuara ne komitetin e përmbushjes për evidentimin e tatimpaguesve për deklarimin e pagës reale.
Konkretisht janë dërguar 3883 letra te personalizuara për tatimpaguesit për deklarimin e pagës reale dhe nga monitorimi i kryer për reagimin e këtyre tatimpaguesve është vënë re se një rritje vetëm me 2% të numrit të punonjësve dhe me të njëjtën normë të vendeve të punës.
Duke qenë se niveli i reagimit është e ulët dhe duke qenë se gjatë këtij viti u janë dërguar letra 10.500 bizneseve për vetëkorrigjimin e pagave deri më 20 Janar, pyetja që ngrihet është: a do të ketë efekt më të madh kjo nismë?/Burimi: Scan