Marreveshja, Shqiperia do te furnizohet me makina nga Japonia
Qeveria shqiptare ka miratuar projektligjin për ardhjen e makinave japoneze në vendin tonë. Makinat do të shfrytëzohen për përdorim publik, në përputhje me nevojat e sektorit publik për mjete transporti.
Sipas projektligjit të dorëzuar në Kuvend qeveria japoneze i ka akorduar qeverisë së Republikës së Shqipërinë një shumë prej 500 milionë YEN (ose 4 milionë dollarë), nga e cila qeveria shqiptare do të përfitojë makina mjedisore të tipit hibrid dhe me naftë të pastër.Synimi i grantit është sigurimi i makinave japoneze të gjeneratës së ardhshme, me qëllim zvogëlimin e ndotjes mjedisore dhe reduktimin e gazeve që shkaktojnë efektin serrë (GHG).
Projekti do të ndikojë në përmirësimin e shërbimeve publike, optimizimin e shërbimeve mbështetëse administrative, për institucionet qeveritare, zbatimin e planeve të veprimit për rehabilitimin e zonave të dëmtuara mjedisore, rritjen e kapaciteteve për mbrojtjen e mjedisit si dhe reduktimin e ndotjes së ajrit. Numri i saktë i makinave do të përcaktohet pas miratimit të planit të shpërndarjes, që do të miratohet, bashkërisht, me palën japoneze, si dhe në varësi të procedurave të tenderimit, të cilat do të zhvillohen në Japoni, në përputhje me ligjet dhe rregullat e qeverisë japoneze.