Shqiperia dhe Greqia bashkepunim ne sektorin energjetik, detajet
Shqipëria dhe Greqia do të bashkëpunojnë në sektorin energjetik.
Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, është e pranishme në një vizitë zyrtare në Greqi ku ka takuar homologun Kostas Skrekas. Ministrja teksa ka bërë detaje nga takimi bën me dije se kanë biseduar edhe për asistencën teknike për magazinimin e energjisë, në një kohë që bota po përjeton një krizë.
Ditët në vazhdim do të nënshkruhet memorandum bashkëpunimi për një projekt të përbashkët, i cili lidhë dy shtetet përmes hekurudhës. “Gjatë vizitës zyrtare në Athinë, pata kënaqësinë të takoja homologun Kostas Skrekas, Ministër i Energjisë dhe Ambientit.
Diskutuam në prani të skuadrave tona, mbi hapësirat për të çuar përpara një sërë projektesh mes Shqipërisë dhe Greqisë. Ndamë mendimin e përbashkët për forcimin e bashkëpunimit në sektorin energjetik, veçanërisht në shkëmbimin energjisë këto kohë sfiduese kur kriza energjetike nuk ka kursyer askënd.
Ndamë eksperiencat tona në menaxhimin e krizës dhe u angazhuam për bashkëpunim të frytshëm në të ardhmen”, shkruan Balluku. Ministrja bën me dije se gjatë vizitës diskutoi edhe për projektin e madh ndëreuropian të Korridorit Blu.
Ajo ka takuar edhe Ministrin për Infrastrukturën dhe Transportin, Kostas Karamanlis dhe zëvendësministrin e Jashtëm për Çështjet Ekonomike, Kostas Fragogiannis.
Balluku bën me dije se me Ministrin e Energjisë u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit në shkëmbimin e energjisë, teksa theksoi se linja e interkoneksionit mund të përdoret për të depozituar energji në të dyja vendet. /Burimi: abcnews.al