Rreth 70 per qind e rasteve ne Maqedoni me variantin Omicron
Në Maqedoninë e Veriut po shtohen rastet me koronavirus, megjithëse tani për tani nuk ka trysni ndaj spitaleve.
Sipas statistikave të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë, çdo i katërti person i testuar për koronavirus rezulton pozitiv. 68 për qind e rasteve i përkasin variantit Omicron që është gjetur në 12 qytete të vendit. Për çdo ditë njoftohet për mbi një mijë raste pozitive, ndërsa vetëm në 24 orët e fundit janë regjistruar tetë viktima.
Gjendja më serioze, pas Shkupit është regjistruar në Manastir, ku mbi 250 pacientë me simptoma të koronavirusit kërkojnë ndihmë për çdo ditë.
Sipas anketave epidemiologjike, shumica e pacientëve kanë pohuar se vetëm tre ditë para se t’u paraqiten simptomat kanë pasur kontakte me persona të prekur nga virusi.
Mjekët thonë se të prekurit nga virusi i përkasin të gjitha grupmoshave, por më të përfaqësuar janë ata nga 30 deri 39 vjeç. Janë paraqitur po ashtu persona të riinfektuar, një rritje për shtatë herë më tepër në krahasim me javët e kaluara, sipas autoriteteve shëndetësore.
Në këtë periudhë nxënësit e shkollave janë në pushim dimëror, ndërsa gjysmëvjetori i dytë duhet të fillojë më 21 janar, dhe kjo po shton debatet nëse duhet të shtyhet për dy javë të tjera për shkak të shtimit të rasteve me COVID-19.
Një numër prindërish kërkojnë mbajtjen e procesit të mësimit përmes internetit, pa prani fizike në shkolla, ndërkohë që të tjerë kërkojnë që fëmijët të mos mbajnë maska brenda klasave dhe mësimi të mbahet në shkolla “për shkak se gjatë mësimit online nxënësit kanë humbur shumë”.
Në bazë të të dhënave zyrtare, 7687 persona e kanë humbur jetën që nga shpërthimi i pandemisë. Maqedonia e Veriut duket se është ndër vendet më të prekura jo vetëm në rajon por edhe më gjërë me një shkallë të larë të vdekshmërisë nga COVID-19./Burimi: VOA