Ne shkurt pritet rritja e cmimit te energjise ne Kosove
Shtrenjtimi i energjisë elektrike dhe rikthimi i bllok-tarifave janë vetëm disa kërkesa që ZRRE është duke i shqyrtuar për strukturën e re tarifore.
Të dhënat e detajuara rreth kësaj strukture, ZRRE paralajmëron se do t’i bëjë publike në fillim të muajit shkurt. “Shpresojmë që raportet përfundimtare të publikohen sapo ekspertët e ZRRE-së t’i analizojnë të gjitha të dhënat.
Të gjitha palët do të njoftohen në kohën kur raportet do të bëhen publike”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së dërguar Radios Evropa e Lirë. Në muajin dhjetor, ky institucion – pas kërkesave të KEDS dhe KESCO – ka nisur të bëjë shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike.
Ky shqyrtim është thënë se ka për qëllim të reflektojë mbi çmimet e ngritura të importit të rrymës, si pasojë e krizës globale energjetike. ZRRE bën të ditur se tarifat që do të përcaktohen në këtë shqyrtim, do të aplikohen për një vit.
Kjo lë të kuptohet se shqyrtimi i rregullt i tarifave, që zakonisht bëhet në prill të çdo viti, eliminohet. ZRRE nuk jep ndonjë të dhënë se sa mund të shtrenjtohet rryma. Por, Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) ka kërkuar tashmë që rritja të jetë 7 për qind.
Konsumatorët e Kosovës aktualisht paguajnë 6.75 centë për kilovat në orë. Rikthimi i bllok-tarifave, mundësi për kursim të energjisë elektrike. Instituti për Politika Zhvillimore në Kosovë (INDEP) ka kërkuar nga ZRRE-ja rikthimin e bllok-tarifave dhe jo rritje të çmimit të rrymës.
Bllok-tarifat kanë qenë pjesë e strukturës tarifore të energjisë elektrike në Kosovë nga viti 2006 deri në vitin 2017./Burimi: Telegrafi