Provim me 30 pyetje per te marre patenten pas bllokimit
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor ka bërë publike procedurat që duhet të ndjekin drejtuesit e mjeteve për të rimarrë patentat nëse i kanë me zero pikë, apo u janë hequr nga autoritetet.
“Rimarrja e lejedrejtimit pas zbritjes totale të pikëve apo heqjes së lejedrejtimit bëhet me anë të provimit të kualifikimit teorik që kryhet në Drejtorinë Rajonale ku ka vendbanimin mbajtësi i lejedrejtimit. Provimi bëhet pas përfundimit të pezullimit të lejedrejtimit”, thekson DPSHTRR.
Provimi për marrjen e pikëve të hequra Me humbjen totale të pikëve, mbajtësi i lejedrejtimit duhet t’i nënshtrohet një provimi të kualifikimit. Të njëjtit provim duhet t’i nënshtrohet mbajtësi i lejedrejtimit, i cili pas njoftimit të shkeljes së parë, që përfshin një humbje prej të paktën pesë pikësh, kryen edhe dy shkelje të tjera brenda dymbëdhjetë muajve nga data e shkeljes së parë, që kanë të bëjnë me shkurtim të paktën prej pesë pikësh secila.
Në rast se mbajtësi i lejedrejtimit nuk i nënshtrohet provimi të kualifikimit, brenda tridhjetë ditëve nga njoftimi i vendimit për dhënien e tij, ose megjithëse i është nënshtruar provimit nuk e ka fituar atë, leja e drejtimit pezullohet pa afat. Leja i kthehet drejtuesit të mjetit vetëm pasi të jetë shpallur fitues në provimin e kualifikimit.
Drejtuesi i mjetit i cili ka detyrimin e dhënies së provimit të kualifikimit për rimarrjen e pikëve dhe ndërkohë ka të pezulluar lejen e drejtimit për shkak të shkeljes së Kodit Rrugor, dhënia e provimit i lejohet vetëm përfundimit të afatit të pezullimit të lejes së drejtimit. Regjistrimi dhe dhënia e provimi të kualifikimit bëhet pranë Drejtorive të Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugorë.