Ndryshojne rregullat per shitjen e mjeteve, dokumente shtese dhe vertetim nga tatimet
Ndryshojnë procedurat për shitjen e automjeteve. Sipas një udhëzimi të posaçëm të Ministrisë së Financave, tashmë shitja apo tjetërsimi (ndryshimi i pronësisë) së mjetit, përveçse do i nënshtrohet kontrollit paraprak të gjobave apo debisë, do të bëhet edhe me vërtetimet që duhen tërhequr pranë zyrave tatimore.
Kjo shtesë në udhëzimin e vitit 2008, për “Taksat Kombëtare” vjen një javë, pasi qeveria ka zbardhur aksionin kundër informalitetit në fushën e transportit publik dhe në tregun e mjeteve. Plani i masave i miratuar nga qeveria, përpos të tjerave theksonte edhe faktin se një individi nuk i lejohet të sjellë më tepër se dy makina nga jashtë brenda vitit.
Sipas udhëzimit të botuar edhe në fletoren zyrtare, një pronar mjeti duhet të shlyejë të gjitha detyrimet e përcaktuara nga Drejtoria e Shërbimeve të Transportit Rrugor. “Në rastet e tjetërsimit të mjetit, zyrat noteriale përpara se të kryejnë procedurat e nevojshme ligjore për shitjen e tij, i kërkojnë shitësit të mjetit vërtetim nga DPSHTRR-ja nëpërmjet drejtorive rajonale të shërbimeve të transportit rrugor që mjeti nuk është debitor i taksës vjetore të mjeteve të përdorura të transportit apo nuk është i bllokuar nga organet kompetente të përcaktuara me ligj.
Drejtoritë rajonale tatimore që të lëshojnë vërtetim “Për shlyerjen e detyrimeve tatimore” për çdo tatimpagues duhet të kërkojnë më parë vërtetim nga drejtoritë rajonale të shërbimeve të transportit rrugor për shlyerjen e “Taksës vjetore të mjeteve të përdorura”, të mjeteve në pronësi të tatimpaguesit”, thuhet në shtesën e udhëzimit të MF-së. Ndërkohë udhëzimi i vitit 2008 shpallte për shitjen dhe tjetërsimin e mjeteve se “në rastet e mjeteve të cilat ndërrojnë pronësinë, drejtoritë rajonale të DPSHTRR-së nuk procedojnë me regjistrimin e pronësisë së mjetit në rast se për atë mjet nuk janë paguar taksat respektive.
Për mjetet që dalin përfundimisht nga qarkullimi, në momentin e paraqitjes së qytetarit për çregjistrimin e përhershëm, llogaritja për vlerën e taksës do të jetë e barabartë në raport me periudhën, që mjeti ka qenë në qarkullim”. Sakaq, për të qenë korrekt me rregullin e mësipërm, Drejtoria e Përgjithshme Shërbimit të Transportit Rrugor shpalos edhe 3 pika të rëndësishme për të gjithë pronarët e mjeteve, të cilat këta të fundit duhet të zbatojnë me kujdes, për t’ju shmangur penaliteteve. Kështu DPSHTRR njofton dhe jep udhëzimet përkatëse për pagesat e taksave të përvitshme, çregjistrimin e automjeteve dhe ndryshimin e pronësisë.
Taksat dhe çregjistrimi
Përdoruesit e automjeteve janë të detyruar të paguajnë taksat e përvitshme për automjetet dhe nuk duhet të abuzojnë, duke qenë debitorë ndaj shtetit. Deri në fund të çdo viti përdoruesit e automjeteve kanë mundësi të rregullojnë marrëdhëniet e tyre financiare në lidhje me taksat e automjeteve. Sa i përket çregjistrimit të përkohshëm dhe të përhershëm të automjeteve, DPSHTRR kërkon një sërë dokumentesh. Kështu, për heqjen e lejes së përkohshme nga qarkullimi me të drejtë riaktivizimi, pronari i mjetit duhet të paraqitet pranë drejtorisë me lejen e qarkullimit, certifikatën e pronësisë dhe targat e mjetit.
Në rast se dokumentet dhe targat kanë humbur ose janë vjedhur, duhet pronari duhet të paraqitet në drejtori me denoncim nga policia. Sipas rregullores, çregjistrimi bëhet vetëm një herë gjatë një viti, duke paguar detyrimet financiare deri në momentin e kryerjes së veprimeve. Të njëjtat dokumente duhet të dorëzohen nga drejtuesi i mjetit apo nga një person i autorizuar edhe për çregjistrimin e përhershëm. Po kështu, procedura që ndiqet për çregjistrim mjeti për eksport (heqje nga qarkullimi në Shqipëri për në shtete të tjera) aplikohet me këto dokumente në degën e regjistrimit të mjeteve dhe ky i fundit pajiset me targa provizore për eksport, leje qarkullimi provizore me afat dhe certifikatë pronësie.
Ndryshimi i pronësisë
Rregullorja e drejtorisë së Transporteve udhëzon se në rastin kur individët duan të ndryshojnë pronësinë e mjetit (shitje, dhurim ose këmbim), ata nuk mund ta bëjnë këtë pa njohur më parë masat dhe afat. Kështu, qytetari brenda 10 ditësh nga data kur nënshkruhet akti ligjor i pronësisë merr masa për regjistrimin e ndryshimit të pronësisë ose ndryshimeve të tjera, si dhe për lëshimin e certifikatës së pronësisë. “Cilido që nuk respekton këtë dispozitë ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga 10 mijë deri në 40 mijë lekë.
Cilido që qarkullon me një mjet, për të cilin nuk është kërkuar brenda afatit të caktuar prej 10 ditësh, azhornimi ose rinovimi i lejes së qarkullimit dhe i certifikatës së pronësisë, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga 5 mijë deri në 20 mijë lekë”, citon DPSHTRR, duke evidentuar edhe procedurat për ndryshimin e pronësisë. Drejtuesit duhet ta kryejnë këtë akt, duke dorëzuar pranë drejtorisë fotokopjen e kartës së identitetit, vërtetimin e banesës, dokumentin e fitimit të pronësisë së mjetit (origjinalin), lejen e qarkullimit, certifikatën e pronësisë së mjetit dhe të kontrollit fizik të tij, si dhe targat e automjetit.