Secondary Adv

Pas 22 vitesh, Kosova nis menaxhimin e Brezovices

Pas 22 vitesh, Kosova më në fund ka arritur që të fillojë menaxhimin e qendrës së skijimit Brezovica.

 

Teleferiku tashmë ka filluar të funksionojë, kështu duke u zgjidhur problemi i cili i solli humbje të mëdha bizneseve atje. Agjencia Kosovare e Privatizimit ka njoftuar se tashmë ka filluar punën Ndërmarrja Shoqërore Brezovica.

 

Është bërë me dije se nga tash edhe skiliftat janë lëshuar në operim dhe se do të vazhdoj operimi i rregullt i Brezovicës. “Publiku ftohet që për çdo shërbim që pranojnë në këtë ndërmarrje të kërkojnë kuponin fiskal”.

 

Sipas njoftimit të AKP, thuhet se më 13 janar 2022 Bordi i Drejtorëve i AKP emëroi Bordin e ri të Përkohshëm Menaxhues për NSH Inex Sharr Planina Brezovicë, Shtërpce, në përbërje të gjashtë (6) anëtarëve.

 

Kjo ndërmarrje me vendim të Bordit të Drejtorëve të AKP ishte vendosur më parë nën Administrim Direkt të AKP më 22 dhjetor 2020. “Më 14 janar 2022 Menaxhmenti i AKP mbajti një mbledhje përmbajtësore me Bordin e Përkohshëm të Drejtorëve të NSH Inex Sharr Planina Brezovicë.

 

Në këtë mbledhje, është biseduar për mbarëvajtjen e punëve në Brezovicë dhe është biseduar gjerësisht për obligimet e Bordit të Brezovicës për t’i përmbushur detyrat e tyre ligjore për funksionimin e tërësishëm të Brezovicës në bazë të ligjeve të Kosovës, duke përfshirë: Instalimin e arkave fiskale;

 

Raportimin financiar e operativ në AKP; Deklarimin e rregullt të tatimeve te ATK si dhe zbatimin e ligjeve të Kosovës”, thuhet në njoftim.

 

Po ashtu, në takim u pajtua që të fillohet sa më të shpejtë sezoni i skijimit, të mbahet bashkëpunimi i mirëfilltë dhe të vazhdohet me aktivitetet e ndërmarrjes, me ç ‘rast i gjithë operimi i ndërmarrjes do të bëhet sipas infrastrukturës ligjore të Kosovës.

 

“Të gjithë anëtarët e Bordit te Brezovicës siguruan për bashkëpunimin e tyre, punën e mirë dhe respektimin e udhëzimeve të AKP-së dhe dispozitave ligjore të ligjeve të Kosovës.

 

Publiku njoftohet se skiliftat janë lëshuar në operim në mëngjes më 16 janar 2022 dhe se do të vazhdoj operimi i rregullt i Brezovicës. Publiku ftohet që për çdo shërbim që pranojnë në këtë ndërmarrje të kërkojnë kuponin fiskal”.

 

Më parë kjo qendër u menaxhua nga strukturat paralele serbe, ku edhe të gjitha shërbimet janë kryer pa ndonjë kupon fiskal. Që nga përfundimi i luftës, Brezovica ka qenë një problem politik mes Kosovës dhe Serbisë.

 

Ashtu sikur edhe për pasuritë tjera në Kosovë, shteti i Serbisë, vazhdon të ketë pretendime mbi pronësinë e kompleksit turistik në Brezovicë vend ky që ndodhet në komunën e Shtërpcës me popullatë kryesisht serbe.

 

Por, përveç problemeve politike, Qeveria e Kosovës ka dështuar deri më tash që ta trajtojë Brezovicën edhe në aspektin ekonomik. Investimet më të mëdha në Brezovicë ndodhën në vitet ‘70, në kohën e ish-Jugosllavisë.

 

Në vitet pasuese u ndërtuan hotelet, teleferikët dhe objekte të tjera të rëndësishme për operimin e këtij lokacioni turistik. Asnjë investim i madh në infrastrukturë nuk ka ndodhur për më shumë se tri dekada në këtë vend.

 

Aktualisht, qendra e skijimit operon me kapacitete të kufizuara dhe me infrastrukturë të vjetruar. Në 20 vjetët e parë të ndërtimit të saj, qendra e skijimit në Brezovicë ishte ndër më të vizituarat në rajon.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/kosova-fillon-menaxhimin-e-brezovices/


Më të lexuarat