Secondary Adv

Ankandi i valutes, BSH parashikon te bleje deri ne 200 mln euro

Banka e Shqipërisë mund të blejë deri në 200 milionë euro në tregun valutor gjatë vitit 2022.

 

Komitetit të Zbatimit dhe Këshillimit të Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë ka mirtuar në fund të vitit 2021 kalendarin e ankandeve dhe shumat e parashikuara të blerjeve të euros në tregun e brendshëm valutor.

 

Për vitin 2022, intervali i parashikuar nga ky komitet është mes 140 dhe 200 milionë euro, shumë kjo ndjeshëm më e lartë krahasuar me vitin e kaluar. Për vitin 2021, ishin parashikuar blerje në tregun valutor të një shume mes 60 dhe 120 milionë eurove.

 

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë dhe sipas informacioneve të mbledhura nga Monitor, shuma faktike e blerjeve rezultoi shumë afër kufirit të sipërm të intervalit të parashikimit, me rreth 117 milionë euro të blera gjithsej.

 

Një risi e rëndësishme për ankandet e vitit të kaluar ishte përdorimi për herë nga Banka e Shqipërisë e marrëveshjeve forward (për blerje në të ardhmen) në vend të blerjes me marrëveshjet klasike spot (me blerje në datën e ankandit).

 

Përdorimi i këtyre marrëveshjeve shihet nga Banka e Shqipërisë si një hap që mund t’i nxisë bankat tregtare të ndërmarrin hapa në drejtim të zhvillimit të tregut të parasë.

 

Për vitin 2022, Banka e Shqipërisë ka parashikuar të zhvillojë gjithsej 15 ankande të blerjes së euros në tregun e brendshëm valutor. Shuma e parashikuar për t’u blerë në raundin e parë është 5-8 milionë euro për çdo ankand, ose 75-120 milionë euro gjithsej.

 

Megjithatë, sipas rregullores për ndërhyrjet në tregun valutor, Banka e Shqipërisë mund të realizojë edhe blerje në një raund të dytë të ankandit, me kursin mesatar që rezulton nga ofertat e pranuara në raundin e parë.

 

Blerjet e valutës nga Banka e Shqipërisë bëhen në funksion të menaxhimit të rezervës valutore. Në fund të muajit nëntor 2021, rezerva valutore arriti shumën e pothuajse pesë miliardë eurove, niveli më i lartë i shënuar ndonjëherë.

 

Vetëm gjatë muajit nëntor, rezerva valutore u zmadhua me gati 780 milionë euro ose 19% krahasuar me një muaj më parë. Ndikimin kryesor e ka dhënë Eurobondi prej 650 milionë eurosh i emetuar në muajin nëntor në Bursën e Londrës.

 

Megjithatë, efekti i Eurobondit do të bjerë gradualisht gjatë këtij viti, sepse në pjesnë më të madhe ai do të përdoret për shlyerjen e detyrimeve të borxhit të jashtëm që do të maturohen.

 

Qëllimi kryesor i rezervës valutore është mbulimi i nevojave emergjente që mund të ketë ekonomia për valutë të huaj.

 

Por, ajo mund të përdoret edhe si instrument rregullues në raste të çregullimit të kursit të këmbimit ose në funksion të objektivave ligjorë të BSH, për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe stabilitetit financiar.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/banka-e-shqiperise-parashikon-te-bleje-deri-ne-200-milione-euro-ne-tregun-valutor-gjate-2022/


Më të lexuarat