Secondary Adv

Propozimi per tarifat e reja, ja sa pritet te rritet energjia ne Kosove

Zyra e Rregullatorit për Energji në raportin e fundit konsultativ ka bërë shqyrtimin për ndryshimin e tarifave të energjisë elektrike në Kosovë.

 

ZRRE thotë se nuk ka nevojë për rritje të çmimit të rrymës për konsumatorët që shpenzojnë deri në 600 kWh energji elektrike në muaj.

 

“Subvencioni i dhënë nga Qeveria e Kosovës efektivisht ndikon që tarifat e konsumatorëve biznesor të mos pësojnë rritje dhe faturat për konsumatorët shtëpiak të mos rriten për konsumin që mund të ofrohet me tarifën ekzistuese nga kapacitetet vendore në Kosovë deri në 600 kWh për muaj”, thuhet në raport.

 

Në raport, ZRRE propozon që tarifa për konsumatorët me 800 kWh rrymë të shpenzuar në muaj të rritet në vlerë prej 12.31 eurosh. Ndërsa, konsumatorët që shpenzojnë 1,000 kWh rrymë në muaj të paguajnë 24.62 euro më shumë të çmimit të rrymës.

 

Nëse Qeveria nuk i ndan subvencionet, ZRRE thotë se e konsideron të nevojshëm rritjen e çmimit të rrymës edhe për kategoritë tjera. Në këtë rast, ZRRE propozon që tarifat e energjisë elektrike të ndryshohen në mënyrë që për konsumatorët biznesor të paguajnë 9 për qind më shumë.

 

Rritje e çmimit të rrymës me të njëjtën përqindje është propozuar edhe për amvisëritë, të cilat konsiderohet se shpenzojnë deri në 600 kWh energji në muaj. Për këtë propozohet që aplikimi i tarifës prej 0.21 euro/kWh për energjinë e shpenzuar në kohën e tarifës së lartë gjatë ditës dhe 0.09 euro/kWh për energjinë e shpenzuar në tarifën e ulët gjatë natës.

 

Bazuar në të dhënat e KEDS, konsumi mesatar nga 2012 – 2020 për amvisëritë që shpenzojnë mbi 300 kWh në muaj është rreth 460 kWh/muaj. Konsumi mesatar gjatë 2021 për amvisëritë që shpenzojnë mbi 300 kWh/muaj energji elektrike është rreth 440 kWh. Gjatë vitit, 44% e konsumatorëve nuk e kalojnë këtë prag në asnjë muaj.

 

Konsumatori me konsum 600 kWh në muaj paraqet konsumin bazik minimal të një konsumatori me ngrohje elektrike gjatë dimrit, në bazë të analizave gjatë vendosjes së bllokut në tarifat e kaluara, 69% të konsumatorëve nuk e kalojnë këtë prag në asnjë muaj gjatë vitit dhe 79% të konsumatorëve nuk e kalojnë këtë nivel gjatë muajve të verës./Burimi: Telegrafi


Më të lexuarat