Secondary Adv

Tatimet rimbursojne 196 mln euro TVSH, drejt zeros stoku i borxhit

Tatimet kthyen tek bizneset 24,5 miliardë lekë (169 milionë euro) gjate 2021 në formën e rimbursimit të TVSH-së me një rritje 46% në krahasim me vitin 2020.

 

Në tremujorin e fundit të vitit u rimbursuan rreth 3,3 miliardë lekë, ndërsa duke i bashkëngjitur të dhënat e Ministrisë së Financave për 9 mujorin vlera e përgjithshme e rimbursimit i afrohet 200 milionë eurove duke shënuar kështu një rekord që kur skema nisi të funksionojë.

 

Si rrjedhojë e rimbursimit të lartë stoku i detyrimeve të TVSH-së po shkon drejt zeros me vetëm 477 milionë lekë ne fund te 2021. Sipas një njoftimi zyrtar të tatimeve gjatë tremujorit të katërt të vitit 2021, janë rimbursuar gjithsej 3,35 miliard lekë.

 

Gjatë këtij tremujori, rreth 0,86 miliard lekë e vlerës së rimbursuar shkoi për pagesën e kësteve për tatimpaguesit e mëdhenj në listën e tatimpaguesve me këste. Ndërsa numri i kërkesave të miratuara dhe rimbursuara gjatë kësaj periudhe ka qene në total 286 me vlerë rreth 2,49 miliard lekë.

 

Gjatë tremujorit të katërt të 2021, pranë Drejtorisë së Rimbursimit të TVSH janë regjistruar 388 kërkesa për rimbursim (nga 393 që ishin ne tremujorin e katërt 2020) me vlerë rreth 5,366 miliard lekë, nga të cilat janë pranuar 289 kërkesa me vlerë rreth 4,057 miliard lekë dhe 99 kërkesa me vlerë rreth 1,309 miliard lekë nuk janë pranuar për mosplotësim të kritereve ligjore.

 

Në fund të tremujorit të katërt të 2021, stoku i rimbursimit të TVSH-së kapi vlerën rreth 0,48 miliard lekë, duke shënuar një rënie me 95 % krahasuar me stokun në fund të tremujorit të katërt 2020.

 

Në fund të vitit 2020, Ministria e Financave raportoi 9,7 miliardë lekë detyrime të prapambetura në zërin “Nga rimbursimi i TVSH”-së. Deri në muajin mars 2021 këto detyrime u përgjysmuan dhe tani janë shuar gati të gjitha.

 

Gjatë vitit të kaluar është dhënë për rimbursimin e TVSH-së rreth 193 milionë euro, që u është shpërndarë 1360 subjekteve si eksportues, fason, apo edhe grumbullues, duke tejkaluar planin fillestar me 4.5 miliardë lekë.

 

Rimbursimi i TVSH shpesh shoqërohet me problematika për shkak se në çdo kohë funksionojnë skema të mirëfillta mashtrimi që përfitojnë pa të drejtë rimbursim. Shtrenjtimi i çmimeve të mallrave të importit në tregjet ndërkombëtare ka nxitur rritjen e të ardhurave doganore.

 

Çmimet më të larta çojnë në pagesa të larta të TVSH, pasi tatimi vilet në përqindje të çmimit. Çmimet e larta veç të tjerash kanë ndikuar edhe në rritje indirekte të tatimeve që vilen në përqindje të çmimeve.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/tatimet-rimbursojne-196-mln-euro-tvsh-te-biznesi-me-2021-cojne-drejt-zeros-stokun-e-borxhit/


Më të lexuarat