
Mbrojtja e mjedisit, administrata do te pajiset me makina hibride
Japonia do të jetë dhe kontribuuesja kryesore për arritjen e këtij qëllimi, e cila në një marrëveshje të firmosur që në muajin korrik me qeverinë shqiptare i ka akorduar asaj një shumë prej 500 milionë jen (ose 4 milionë dollarë), nga e cila qeveria shqiptare do të përfitojë makina mjedisore të tipit hibrid dhe me naftë të pastër.
Projekti
Sipas relacionit të kësaj marrëveshjeje, zbatimi i saj kryhet në kuadër të përmbushjes së prioriteteve të qeverisë shqiptare për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve. Duke filluar që nga kreu i bashkisë së kryeqytetit, Erion Veliaj, i cili përdor për transport të përditshëm një makinë hibride, mesa duket ky shembull po kërkohet që të ndiqet edhe nga administrata, duke hequr dorë në këtë mënyrë nga makinat e shtrenjta me benzinë apo naftë të përdorura rëndom qoftë nga drejtorët në administratë apo dhe vetë deputetët, pa i kushtuar kështu rëndësi faktit se çfarë ndikimi do të kenë këto për ambientin ku jetojmë.
“Makinat do të shfrytëzohen për përdorim publik, në përputhje me nevojat e sektorit publik për mjete transporti.
Projekti do të ndikojë në përmirësimin e shërbimeve publike, optimizmin e shërbimeve mbështetëse administrative, për institucionet qeveritare, zbatimin e planeve të veprimit për rehabilitimin e zonave të dëmtuara mjedisore, rritjen e kapaciteteve për mbrojtjen e mjedisit, si dhe reduktimin e ndotjes së ajrit”, thuhet në relacionin e marrëveshjes. Sipas kësaj marrëveshjeje, numri i saktë i makinave do të përcaktohet pas miratimit të planit të shpërndarjes, që do të miratohet, bashkërisht, me palën japoneze, si dhe në varësi të procedurave të tenderimit, të cilat do të zhvillohen në Japoni, në përputhje me ligjet dhe rregullat e qeverisë japoneze.
Referuar përmbajtjes së kësaj marrëveshjeje, parashikohet se ajo duhet të hyjë në fuqi brenda datës 27 tetor 2015, për t’i hapur rrugën përfundimit të marrëveshjeve teknike, të cilat do të bëjnë të mundur realizimin e projektit në shumën e 4 milionë USD, në shërbim të administratës publike. Kështu, mesa duket një pjesë e administratës publike do të jetë e para që do të nisë me përdorimin e këtyre makinave që do të vijnë nga Japonia, duke treguar shembullin e mirë që mund të ndiqet edhe nga qytetarët e tjerë. “Marrëveshja parashikon akordimin e një granti prej 500 milionë jen (ose 537 milionë lekë) për furnizimin me makina miqësore ndaj mjedisit, të tipit hibrid dhe me naftë të pastër. Mallrat dhe materialet e mësipërme do të bëhen pronë e qeverisë së Shqipërisë në momentin që ato zbarkojnë në vend. Ato pritet të vijnë në Shqipëri në fillim të vitit 2016. Shpenzimet për transportin e këtyre mallrave brenda vendit duhet të mbulohen nga qeveria e Republikës së Shqipërisë. Mallrat përjashtohen nga taksat dhe detyrimet doganore”, thuhet në marrëveshje.
Përfituesit
Marrëveshja e firmosur mes dy palëve, asaj shqiptare dhe japoneze, parashikon që për zbatimin e projektit do të ngrihet një grup pune, me përfaqësues të institucioneve përfituese, i cili do të koordinohet nga departamenti i administrimit dhe shërbimeve, pranë Kryeministrisë. Gjithsesi marrëveshja përcakton si fillim se do të jetë një pjesë e administratës që do të përfitojë nga kjo “dhuratë” e Japonisë, e cila më pas do të synojë shtrirjen më të gjerë. Përfitues të projektit do të jenë pikërisht Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, në varësi të Këshillit të Ministrave; Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara – ADISA, në varësi të ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike; Agjencia Rajonale Mjedisore, në varësi të Ministrisë së Mjedisit, si dhe Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar./Gazeta Shqip
Më të lexuarat








