Secondary Adv

Publikohet anketa e qeverise, do te shperndahet ne cdo shtepi

Publikohet anketa e qeverisë drejtuar të gjithë shqiptarëve mbi 18 vjeç që ka në thelb këshillimin kombëtar për Shqipërinë.

 

Bëhet fjalë për 12 pyetje drejtuar shqiptarëve në kuadër të nismës së lançuar nga kryeministri Edi Rama pak ditë para vitit të ri mbi çështje të një rëndësie të madhe dhe të diskutuara nga të gjithë.

 

Sikundër beri të ditur kryeministri pak ditë më parë, temat e pyetësorit përfshijnë çështje të ekonomisë, gjendjes sociale, integrimit europian dhe përpjekjes për të adresuar plagët e padrejtësisë. Pyetja e parë lidhet me mundësinë për mbrojtjen sociale të nenave me 3 ose më shumë fëmijë të mitur.

 

Qytetarët do të mund të zgjedhin mes tre alternativave. Në anketë përfshihen gjithashtu tema që kanë të bëjnë me ashpërsimin e dënimit për ata që kryejnë dhunë në familje dhe krime ndaj fëmijëve, për problemin e të punësuarve, që janë viktima të metodave fiktive të pagave apo për amnistinë e parave të fituara në emigracion.

 

Nisur nga situata e pandemisë, qeveria do të pyesë qytetarët lidhur me mendimin e tyre për vaksinimin e detyrueshëm, për të shmangur përhapjen e koronavirusit.

 

Si në çdo rast qytetarët kanë mundësi të zgjedhin 3 alternativa, pro, kundër dhe nuk di të gjykoj mbi këtë çështje. Tjetër temë e përfshirë në anketë është edhe lejimi i kultivimit të kanabisit për përdorim mjekësor.

 

Gjithashtu anketa përmban pyetje që lidhen me procesin e integrimit, nëse Shqipëria duhet të ndahet nga Maqedonia e Veriut në këtë proces, duke qenë se vetoja bullgare për Shkupin po mban peng edhe Shqipërinë.

 

Nisma e Ballkanit të Hapur, që nuk përqafohet nga Kosova, është një tjetër pyetje e përfshirë në anketën e këshillimit kombëtar. Anketa do të shpërndahet për të gjitha familjet dhe do të ngrihen pika në të gjitha bashkitë ku qytetarët mbi 18 vjeç mund të shkojnë dhe ta plotësojnë./Burimi: Balkanweb


Më të lexuarat