
Kthimi i pronave, 15 dite kohe per 8500 dosje
Skema e kthimit dhe kompensimit të pronave kërkoi kohë dhe hapësirë nga qeveria, 6 muaj më parë, duke e shtyrë afatin me aprovimin e Këshillit të Europës dhe votimit në parlament. Data 30 tetor shënon fundin e këtij afati të kërkuar për shqyrtimin dhe ende nuk ka një evidencë të plotë për zgjidhjen e dosjeve të rreth 8500 pronarëve.
Vitin e kaluar, qeveria miratoi shtyrjen me 1 vit të afatit për kthimin dhe kompensimin e pronave, me qëllim që të punohej për shqyrtimin e dosjeve te depozituara në Agjenci dhe për hartimin e projektit ligjor që i jep zgjidhje përfundimtare çështjes së kompensimit të pronarëve. Përgjatë 1 viti, Ministria e Drejtësisë dhe Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave kanë zhvilluar një proces intensiv konsultash, duke arritur në një projektligj të ri, ku parashikohet dhe formula e re e kompensimit.
Afatet
Kërkesa për shtyrje, e formuluar edhe në relacionin e ligjit erdhi në kushtet kur kuadri ligjor për procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave është duke u rishikuar. Në këtë mënyrë, duket se është shmangur ngërçi që mund të krijohej me çështjet e pronësisë, në kushtet kur ligjit të ri dhe afatit të AKKP-së ditën e sotme u ka mbaruar “jetëgjatësia”. Gjithashtu, ligji i ri dhe transformimi i AKKP-së në Agjencinë e Fondit të Tokës nuk është miratuar ende.
Në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave janë rreth 8500 dosje që duhen shqyrtuar. Ligji i ri për kthimin dhe kompensimin e pronave do të parashikojë një mekanizëm të ri financiar për kompensimin e pronarëve. Skema e re pritet të krijojë mundësi kompensimi njëherësh për të gjithë pronarët, pasi skema e mëparshme është vlerësuar se shkel të drejtat e njeriut nga Gjykata e Strasburgut. Çështja e pronësisë në Shqipëri është kthyer në një problematikë serioze për vendin. Përballë pronarëve që i drejtohen gjithnjë e më shumë Strasburgut, gjykata i ka dhënë një vit kohë shtetit shqiptar që të gjejë një skemë të re, në mënyrë që të shmanget publikimi i vendimeve që do të sillnin si rezultat, deri falimentimin financiar të shtetit shqiptar.
Pagesa
Pronarët do të kompensohen me vlerën e tregut në momentin që është marrë vendimi për kompensim dhe jo me vlerën e tregut në momentin që kryhet pagesa, siç ishte në ligjin ekzistues. Njohja e së drejtës së pronës dhe kthimi i saj do të kryhen mbi bazën e ligjit të ri, ku janë përcaktuar gjashtë kategoritë që përfitojnë kthimin e pronës, si dhe kategoritë, të cilave nuk mund t’u kthehet prona.
Në ligjin e ri është përcaktuar mënyra e vlerësimit të pronës, formula për kompensim, si dhe sipërfaqet për kthimin e pronës. Sipas ligjit të ri, për pronat e përcaktuara në këtë ligj, për të cilat është i pamundur kthimi fizik, shteti kompenson subjektet e shpronësuara me një ose më shumë nga format e mëposhtme: me pronë tjetër të paluajtshme të të njëjtit lloj, me vlerë të barabartë, në pronësi të shtetit; me pasuri të paluajtshme publike në zonat që kanë përparësi zhvillimin e turizmit; me pronë tjetër të paluajtshme të çdo lloji, me vlerë të barabartë, në pronësi të shtetit; me aksione në shoqëri me kapital shtetëror ose ku shteti është bashkëpronar, që kanë vlerë të barabartë me pronën e paluajtshme; si dhe me vlerën e objekteve, që janë objekt i privatizimit apo si dhe me të holla.
Ndryshimet
Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, deklaroi në Parlament, pikërisht ditën e përfundimit të afatit se, brenda 6 muajsh do të përmbyllet edhe çështja e pronësisë. Në fjalën e tij, Naço u kërkoi deputetëve të votojnë shtyrjen e afateve për ndryshimet në ligj, pasi është ende në diskutim.
Sipas Naços, kjo reformë do të kërkojë shuma të mëdha financiare dhe për këtë arsye kërkoi mirëkuptimin dhe konsensusin nga të gjithë. “Evidentimi dhe miratimi i fondit për kompensimin e pronave përfundon sot (30 prill), projektligji e shtyn më 30 tetor 2015, afat i nevojshëm për përfundimin e reformës. AKKP me ekspertët kanë kryer konsultime për të diskutuar të gjitha zgjidhjet e çështjes së pronave.
AKKP-ja dhe Ministria e Drejtësisë kanë hartuar një projekt të parë për kompensimin e pronës private pa të drejtë dhe shumë shpejt ky projekt do të kalojë për shqyrtim. Afati i ligjit ka nevojë që të shtyhet”, deklaroi Naço, teksa garantoi se brenda afatit prej 6 muajsh do të kalohet varianti përfundimtar për zgjidhjen e ligjit. Sipas AKKP-së, çështja e pronave do të marrë zgjidhje përfundimtare brenda një 10-vjeçari. Fondi që do të vihet në dispozicion nga qeveria për kompensimin e ish-pronarëve në muajin tetor arrin deri në 5 miliardë lekë të reja në vit. Ndërkohë, puna për mbylljen e 9300 dosjeve pa vendim do të përfundoje brenda tre vjetëve, ndërsa brenda 5 viteve do të përfundojë edhe vlerësimi ekonomik i 26 mijë vendimeve që presin të kompensohen.
Shqyrtimi
Detyrimi i pronarëve ka qenë, që brenda 31 dhjetorit të vitit 2008 të aplikonin pranë AKKP-së, në rrugë administrative, një kërkesë për njohje dhe kompensim prone. Pas këtij afati, e deri më sot, pronarët kanë bërë një rivendosje në afat, kurdoherë që kanë hapur një dosje të re, me vendim gjykate. Afati deri në 30 prill 2015, përcaktonte se do të ishin njohur të gjitha ato dosje që janë të patrajtuara deri më sot, që arrijnë deri në 8600. Ligji parashikonte që brenda kësaj date, agjencia t’i trajtonte dhe me vendim, të gjitha këto dosje duhej të kishin përfunduar. Por, kur kanë mbetur edhe 2 javë nga koha e kërkuar nga qeveria, duket se shoqatat e pronarëve e shohin me skepticizëm zgjidhjen, duke iu referuar, jo vetëm raporteve të këtyre 20 viteve, por edhe ndryshimeve ligjore, të cilat janë kthyer dhe miratuar në kuvend 7 herë.
Më të lexuarat








