Secondary Adv

Platforma per Bursen Shqiptare te Energjise, shpallet kompania fituese

Platforma për Bursën Shqiptare të Energjisë (ALPEX) do të ofrohet nga një konsorcium grek.

 

Tashmë procedura, e cila hasi një sërë “ngërçesh” gjatë rrugës, ka një kompani fituese, duke i hapur kështu rrugë konkretizimit të një prej hallkave më të rëndësishme të sektorit.

 

Në faqen e APP është publikuar njoftimi ku rezulton se me një ofertë prej 220 milionë lekësh bashkimi i tre operatorëve nga shteti fqinj është fituesi. Mbyllja e procedurës rezulton të jetë bërë më 13 dhjetor 2021 kur është bërë edhe njoftimi drejtuar konsorciumit.

 

Bëhet fjalë për kompanitë HELLENIC ENERGY EXCHANGE S.A (Bursa Greke e Energjisë), ENEX CLEARING HOUSE (Kompania për platformën e rakorim/likuidimit financiar) dhe HELLENIC EXCHANGES–ATHENS STOCK EXCHANGE S.A(Bursa e Titujve e Greqisë).

 

“Monitor” kontaktoi me përfaqësues të Bursës Shqiptare të Energjisë të cilët konfirmuan se tashmë ka një kompani fituese sikurse rezulton nga sistemi i APP.

 

Ofrues i shërbimit do ti mundësojë ALPEX platformën e tregtimit të energjisë elektrike, e përshtatshme për tu aksesuar në tregjet europiane në formën e rakordim/likuidimit financiar, menaxhimit të riskut.

 

Po kështu do të asistojë në krijimin e një strukture më të përshtatshme si dhe këshillimin mbi rregullat e tregtimit. Ofruesi i shërbimit do të garantojë që ALEPX sipas modelit europian të organizojë tregun e ditës në avancë dhe brenda të njëjtës ditë si fillim për tregun e Shqipërisë dhe më pas bashkimin e tregjeve shqipëri Kosovë.

 

Referuar termave të përcaktuar më herët në dokumentet e procedurës së prokurimit kompania do të ketë në dispozicion 9 muaj kohë pas në nënshkrimit të kontratës për të bërë oepracionale Bursën. Kjo do të thotë që me shumë gjasa nënshkrimi i kontratës nëse respektohen afatet e paracaktuara në dokumente të bëhet në fillim të shkurtit.

 

Nëse gjithçka shkon sipas parashikimeve Shqipëria do të ketë një bursë funksionale në nëntor të këtij viti i takon tregtimit për ditën në avancë dhe plus dy muaj të tjerë për tregun në avancë mes 2 vendeve Shqipëri dhe Kosovë që janë edhe aksionerë të përbashkët në Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike (ALPEX).

 

Bërja funksionale e Bursës është një hallkë shumë e rëndësishme e tregut të energjisë dhe e kërkuar me ngulm nga pjesëmarrësit potencialë të saj ku bëjnë pjesë qoftë prodhuesit, qoftë furnizuesit apo bizneset në tregun e lirë. Ndikimi nënvizohet sidomos në aspektin e rritjes së konkurrencës por edhe transparencës së çmimeve.

 

Më kërkesat që ALPEX ka përcaktuar në dokumentet e tenderit e bën Shqipërinë dhe Kosovën që të jetë ndër vendet e para brenda Ballkanit Perëndimor që të ketë një treg të bashkuar si dhe pas dy vitesh të ketë tregun brenda të njëjtës ditë të bashkuar. 

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/platforma-e-burses-se-energjise-fitues-konsorciumi-grek-gati-nenshkrimi-i-kontrates/


Më të lexuarat