Secondary Adv

Jo vetem Pfizer, Moderna nis provat per vaksinen kunder Omicron

Provat do të përfshijnë gjithsej 600 të rritur, gjysma që kanë marrë 2 doza të vaksinës Moderna të paktën 6 muaj më parë, dhe gjysma tjetër që ka marrë 3 doza.

 

Prandaj, doza përforcuese e krijuar posaçërisht për variantin Omicron do të vlerësohet për përdorim si një dozë e tretë dhe e katërt. Kompania raportoi gjithashtu rezultatet mbi efikasitetin kundër variantit Omicron të dozës përforcuese tashmë në përdorim.

 

Kompania tha se gjashtë muaj pas injektimit me dozën përforcuese, niveli i antitrupave neutralizues kundër Omicron u zvogëluan me nivel 600 për qind krahasuar me nivelin e vërejtur 29 ditë pas vaksinimit, por mbeti i diktueshëm tek të gjithë pjesëmarrësit në studim.

 

Këto të dhëna janë marrë nga studimi i gjakut të 20 personave që kishin marrë dozën përforcuese prej 50 mikrogramësh, sa gjysma e sasisë së dy dozave të para.

 

“Ne jemi të inkurajuar nga qëndrueshmëria e antitrupave kundër Omicron gjashtë muaj pas marrjes së dozës përforcuese të vaksinës kundër COVID-19”, tha përmes një deklarate, Stephane Bancel, shef ekzekutiv i kompanisë Moderna.

 

“Megjithatë, duke patur parasysh kërcënimin afatgjatë të demonstruar nga Omicroni përmes shmangies së imunitetit (e krijuar nga dozat e mëparshme të vaksinës), ne po vazhdojmë me fazën e dytë të provave klinike për vaksinën kundër këtij varianti ngjitës të COVID-19”, shtoi zoti Bancel.

 

Deklarata e kompanisë Moderna erdhi një ditë pasi rivalët Pfizer dhe BioNTech thanë se kishin filluar regjistrimin e pjesëmarrësve për një provë klinike me një vaksinë specifike kundër variantit Omicron.

 

Të dyja vaksinat bazohen në teknologjinë RNA, duke e bërë relativisht të lehtë modifikimin e tyre, duke krijuar mundësinë për të mbajtur hapin me mutacionet specifike të varianteve të reja të COVID-19.

 

Disa vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, kanë filluar të shohin një rënie të rasteve të lidhura me valën e infeksioneve të shkaktuara nga Omicron, varianti më i transmetueshëm i zbuluar deri më tani, por numri i infeksioneve në mbarë botën vazhdon të rritet./Burimi: VOA


Më të lexuarat