Njihen pensionet me Kosoven, perfitimet e shtetasve te dy vendeve
Shtetasve shqiptarë që kanë zgjedhur të jetojnë e punojnë në Kosovë dhe e anasjellta, do t’u njihen vitet e punës, duke bashkuar periudhat kontributive.
Marrëveshja mes dy vendeve është dërguar për miratim në Parlament, dhe synon që qytetarët e të dy vendeve të mund të marrin pensionin e pleqërisë që iu takon pavarësisht se sa vite kanë punuar në njërin shtet apo në tjetrin.
Në marrëveshje përcaktohet bashkimi i periudhave të sigurimit jo vetëm për përfitim pleqërie, po edhe për pension familjar apo invaliditeti, me kusht që ato të mos mbivendosen.
Kur periudhat e sigurimit të realizuara në të dyja shtetet mbivendosen, Shqipëria do të marrë parasysh vetëm periudhat e sigurimit të realizuara në territorin e saj. Po ashtu është harmonizuar edhe legjislacioni sa i përket përfitimeve nga barrëlindja.
Marrëveshja parashikon rregullime të veçanta për trajtimin e personave të punësuar dhe të vetëpunësuar, të nëpunësve të shërbimit civil, anëtarëve të misioneve diplomatike dhe zyrave konsullore dhe punëtorëve të dërguar nga punëdhënësi për të punuar për llogari të tij në vendin tjetër, si dhe përjashtimet.
Sipas ligjit “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, përfitojnë nga skema e sigurimeve shoqërore e kontributeve shqiptare, të gjithë ata persona që do të kenë 15 e më shumë vite pune të siguruara./Burimi: SCAN