Secondary Adv

Qukes-Qafe Plloce vijon te marre para, qeveria merr 48 mln euro kredi

Qeveria shqiptare do të marrë një tjetër borxh për segmentin rrugor Qukës-Qafë-Plloçë, që është një prej akseve më të zvarritur në drejtim të mbylljes së punimeve.

 

Në mbledhjen e  fundit, Këshilli i Ministrave miratoi në parim marrëveshjen e huasë me Fondin Saudit për Zhvillim, për projektin e ndërtimit të rrugës Tiranë-Elbasan-Qukës-Qafa e Plloçës, “hua shtesë”, me një vlerë prej 183 750 000 rial saudit apo rreth 48 mln euro.

 

Ndërkohë që, kredia e parë për financimin e kësaj vepre është marrë po nga Fondi Saudit për Zhvillim, e firmosur në shkurt të vitit 2013, nga ish-ministri i Financave, Ridvan Bode. Ky aks rrugor është projektuar që në vitin 2010, por ai është ende larg përfundimit.

 

Në shtator të 2020 ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, bëri me dije se për përfundimin e saj nevojiten edhe 105.8 mln USD, prej të cilëve 56.8 mln USD për lotin I dhe II dhe 49 mln USD për lotin III, ndërkohë që nga aprovimi i fondit do të duheshin edhe 22 muaj për të dorëzuar veprën.

 

Gjatësia e segmentit Qukës–Qafë Plloçë është 43,4 km, ndërsa ndahet në 3 lote. Deri 1 vit e gjysmë më parë, në lotin e parë ishin kryer 86.52% e punimeve, në lotin e dytë punimet kishin avancuar në masën 84.36%, ndërsa në lotin e tretë, në masën 51%.

 

Aksi Qukës-Qafë Plloçë është pjesë e korridorit rrugor Tiranë-Korçë dhe parashikon të ulë me 1 orë rrugën nga kryeqyteti për në juglindje./Burimi: SCAN


Më të lexuarat