Secondary Adv

Mbyllet afati per grantin e bashkive, 8 mln euro per bonusin e qirase

Sot mbyllet afati për bashkitë të cilat aplikojnë për subvencionimin e qirasë dhe grantin e menjëhershëm.

 

Në një shkresë të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë nënvizohet se shumica e fondit që është planifikuar në buxhet për programet e strehimit do të shkojë për bonusin e qirasë për familjet që janë të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe që ende nuk kanë hyrë në banesat e reja.

 

“Nëpërmjet kësaj shkrese ju bëjmë me dije mbi fondet e planifikuara për shpenzimet korrente, për programet e strehimit, për 2022, mbi afatet, formularet e aplikimit dhe kushtet për përftimin e fondeve buxhetore.

 

Buxheti për shpenzimet korrente, për programet e strehimit për 2022 në total është 1,322 mln lekë, i ndarë në 186.4 mln lekë për subvencionimin e interesave të kredive, 6 mln lekë për grant të menjëhershëm dhe 1,130 mln për bonusin e qirasë, nga ku 1,000 mln leke janë planifikuar për familjet e prekura nga tërmeti.

 

Kushtet për të përfituar fonde dhe Formatet e Aplikimit për subvencionimin e qirasë dhe për grantin e menjëhershëm, që do financohen nga buxheti i shtetit në 2022, janë përmbledhur ne “Termat e Referencës për programet e strehimit qe do subvencionohen nga buxheti i shtetit në 2022”, e cila është publikuar në faqen e Ministrisë, në adresën: https://vvëë.financa.gov.al/buxheti-i-strehimit-2022/.

 

Ndërsa informacioni për subvencionimin e interesave të kredisë, i cili është në vazhdim nga 2019 dhe do të vijojë deri në plotësimin e kuotave të miratuara sipas bashkive është ai i publikuar në adresën: https://financa.gov.al/programi-i-subvencionimit-te-interesave-te-kredive/.

 

Afati i dorëzimit të kërkesave për subvencionimin e qirasë dhe grantin e menjëhershëm është data 31.01.2022” thuhet në dokument. Më herët Financat dhanë detaje më të zgjeruara për programet e strehimit dhe për mënyrën sesi do të vijojë financimi për bashkitë gjatë këtij viti.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/mbyllet-afati-per-grantin-e-bashkive-8-milione-euro-per-bonusin-e-qirase-per-termetin/


Më të lexuarat