Secondary Adv

Ndertimet pa leje, me pak procedura per tapine

Qytetarët nuk do ta kenë më të nevojshme të rendin vazhdimisht në dyert e ALUIZNI-t, e më tej Hipotekës për të marrë certifikatën e pronësisë.Ky dokument do të përfitohet brenda një kohe të shkurtër, në saje të procedurave të thjeshtuara që do të nisin të praktikohen, duke shmangur në këtë mënyrë sorollatjet që deri më tani kanë qenë të pakursyera.


Dy institucionet, përkatësisht Agjencia e Legalizimeve dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, kanë gati marrëveshjen për të shkurtuar kohën që do t’u duhet qytetarëve për të marrë certifikatën e pronësisë.Burime nga ALUIZNI bëjnë me dije se brenda tetorit do të kalojnë për miratim në qeveri dy vendime, në të cilat do të konkretizohen praktikat e reja që do të ndiqen në vijimësi, që do të bëjnë të mundur lehtë- simin e mëtejshëm të procesit.


Rastet me përparësi
Qytetarët që kanë emergjencë për legalizimin e ndërtesës do të kenë përparë- si në marrjen e lejes. Pas emigrantëve, do të jetë radha e kësaj kategorie që të përfitojë nga procedurat e përshpejtuara që do të mundësohen për ta. Një fakt të tillë e pohon kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame. Sipas tij do të merren në konsideratë të gjitha kërkesat që do të paraqiten për shqyrtim të shpejtë të rastit të tyre. Këtu kemi parasysh ato familje që janë të interesuara për të shitur shtëpinë, që duan të marrin kredi apo edhe ato që kanë një hall tjetër edhe më urgjent, siç janë problemet që kanë të bëjnë me shëndetin.


Afati
Ligji i ri përcakton që shlyerja e detyrimit financiar të kryhet brenda 6 muajve nga data e tërheqjes së faturës. Pra, qytetarët kanë në dispozicion 6 muaj afat për të likuiduar faturën që duhet të paguajnë për parcelën ndërtimore që kanë në posedim. Kjo vlen për të gjithë ata që kanë ndërtuar në tokë shtet dhe tokë me pronarë, pasi ata që kanë ndërtuar në tokën e tyre, janë të zhveshur nga të gjitha detyrimet financiare që kërkohen për procesin e formalizimit të objektit.


Nëse kjo nuk ndodh, pra, nëse pagesa nuk bëhet brenda kësaj periudhe, atëherë regjistrimi i pronës në Hipotekë bëhet në emër të ALUIZNI-t, duke i hequr në këtë mënyrë të drejtën qytetarit për ta shitur apo për ta lënë kolateral banesën e tij deri në shlyerjen e plotë të shumës së faturuar. Sakaq, burime nga ALUIZNI bëjnë me dije se po shikohet mundësia e shtyrjes së afatit për t’u dhënë më tepër kohë familjeve me pamundësi ekonomike.


Trualli
Ndryshimet që u bënë në ligjin e legalizimeve para një viti përmbysën edhe formulën e vjetër të llogaritjes së parcelës ndërtimore për të cilën bëhej kalimi i pronësisë. Aktualisht, trualli llogaritet me gjysmën e vlerës së tregut, por jo më shumë se 2 mijë lekë m² në zonat urbane.


Gjysma e shumës së faturuar mund të paguhet me bono privatizimi. Veç kësaj, për pagesat që do të derdhen brenda 45 ditëve nga tërheqja e faturës, aplikohet 20% zbritje. Një tjetër reduktim është edhe ai në masën 10% që bëhet për familjet të cilat vërtetojnë se paguajnë në mënyrë sistematike faturën e dritave.


Më të lexuarat