Secondary Adv

Objektivi i BSH, brenda 2 viteve pensionet mund te merren ne banka

BSH synon që brenda 2 viteve të ardhshme të gjitha pensionet e pleqërisë dhe përfitimet e tjera të skemës së sigurimeve shoqërore të paguhen në llogari bankare.

 

Ky ka qënë një ndër objektivat e strategjisë kombëtare për pagesat me vlerë të vogël, 2018-2023. Një hap i tillë synon të rrisë përfshirjen financiare të pensionistëve dhe përfituesve të mbështetjes sociale.

 

Në vitet e fundit, në fakt, ka pasur hapa të rëndësishëm në funksion të këtij objektivi, edhe falë një angazhimi në rritje të bankave tregtare për të treguar fleksibilitet për këto kategori.

 

Disa prej bankave ofrojnë llogari rrjedhëse për pensionistët pa komision mujor. Kjo ka bërë që në vitet e fundit një pjesë e pensionistëve të zgjedhin ta përfitojnë pensionin në bankë, megjithëse ende në pjesën dërrmuese pensionet vazhdojnë të paguhen nëpërmjet Postës Shqiptare.

 

Hapi që pritet të mundësojë kalimin e plotë të pensioneve në kanalet bankare është plotësimi i kuadrit ligjor për llogarinë bazike të pagesës. Projektligji përkatës është përgatitur nga BSH në tetor të vitit të kaluar, ndërsa pritet të miratohet gjatë këtij viti.

 

Projektligji parashikon se llogaria e pagesave me shërbime bazike do t’iu ofrohet konsumatorëve dhe individëve rezidentë në Republikën e Shqipërisë nga të gjitha bankat tregtare pa pagesë ose me tarifa të arsyeshme, me kusht që ata të mos kenë një llogari bankare ekistuese.

 

Sipas projektligjit, tarifë e arsyeshme do të konsiderohet tarifa e cila nuk tejkalon 50% të nivelit mesatar të tarifës së aplikuar nga subjekti, për të njëjtat shërbime të ofruara nëpërmjet një llogarie të zakonshme pagesash.

 

Megjithatë, bankat do të jenë të detyruara t’i ofrojnë shërbimet e pagesave me tarifë zero, për kategoritë që i përkasin grupit të konsumatorëve të cilët përfitojnë nga të drejtat e parashikuara në legjislacionin që rregullon asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë.

 

Këtu përfshihen përfituesit e pagesës së papunësisë, përfituesit e skemës së ndihmës ekonomike, përfituesit e pagesës për paaftësi ose për aftësinë e kufizuar, përfituesit e pensioneve urbane dhe rurale në skemën e sigurimeve shoqërore,

 

përfituesit e ndihmës ekonomike për arsimin e lartë, por edhe për kategori të tjera të përcaktuara me vendime të posaçme nga BSH dhe të publikuara në faqen e saj zyrtare, kohë pas kohe.

 

Konsumatorët që i takojnë kategorive të mësipërme dhe posedojnë llogari të tjera bankare do të kenë të drejtë të konvertojnë llogaritë e tyre në llogari pagesash me shërbime bazike.

 

Bankat do të ofrojnë llogaritë e pagesave me shërbime bazike vetëm në monedhën vendase dhe ato do të përfshijnë shërbime që mundësojnë depozitimin e fondeve në një llogari pagesash,

 

shërbime që mundësojnë tërheqjen e fondeve nga një llogari pagesash brenda Shqipërisë, në sportele ose në ATM, gjatë ose jashtë orarit zyrtar të punës së bankave dhe ekzekutimin e debitimeve direkte, pagesave me kartë dhe transfertat e kreditit brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/banka-e-shqiperise-synon-qe-brenda-dy-viteve-pensionet-te-kalojne-ne-banka/


Më të lexuarat