Secondary Adv

Me shume fonde per PPP ne shendetesi, rritet financimi i spitaleve ne 2022

Buxheti për financimin e spitaleve nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor do të jetë më i madh për vitin 2022, në raport me një vit më parë.

 

Rritja më e madhe shkon për Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, por ndërkohë edhe pagesat për kontratat e partneritetit publik privat, sikurse është koncesioni i laboratorëve, dializës apo strelizimi i instrumente kirurgjikalë do të jenë më të larta gjatë këtij viti.

 

Në total, për vitin 2022, buxheti i miratuar është 29,5 mld lekë, apo rreth 5 mld lekë më shumë se viti që lamë pas. Ndërkohë që, sa i takon PPP, shuma totale që do iu shkojë privatëve është 4.1 mld lekë, nga të cilat 1.57 mld lekë janë për PPP e laboratorëve.

 

Në krahasim me vitin 2021, ky buxhet është 345.47 mln lekë më i lartë. Rritje e pagesave është parashikuar edhe për të tjera shërbime, që gjithashtu ofrohen në spitale private.

 

Kështu përfshihen paketat e kardiologjisë, kardiokirugjisë, transplanti i veshkës, etj., ku për ofrimin e shërbimeve janë nënshkruar kontrata të veçanta me disa spitale private, që operojnë krahas spitaleve shtetërorë.

 

Në total, për paketat e shërbimeve, buxheti për 2022 është rreth 3.5 mld lekë apo rreth 307 mln më shumë sesa viti i kaluar.

 

Ndërkaq, sa i takon spitaleve publike, buxheti më i lartë është parashikuar për Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, me një vlerë totale prej rreth 7 mld lekësh apo 1.53 mld lekë më shumë se 2021.

 

Ndërsa pas saj vijnë spitalet e Durrësit dhe Shkodrës, me nga rreth 1 mld lekë. Për spitalin memorial Fier buxheti I miratuar është 874.8 mln lekë./Burimi: SCAN


Më të lexuarat