Secondary Adv

Ndryshon udhezimi, kriteret qe ju skualifikojne nga gara per kredi te bute

Mundësia për të blerë një shtëpi me interes të zbutur këtë vit në kryeqytet vjen me kushte më të rrepta dhe shanse më të pakta për ta fituar.

 

Kjo, për shkak se Bashkia e Tiranës, përpara se të hapë programin e subvencionimit të kredive, ka bërë disa ndryshime në udhëzim, duke shtuar më shumë filtra, çka ua vështirëson më tepër garën qytetarëve në përzgjedhjen finale të fituesve.

 

Në fillim të muajit shkurt, pritet të hapet faza e dytë dhe vendimtare për 300 kredi shtëpie kundrejt një interesi të zbutur 3 për qind. Pjesa tjetër e interesit në vite mbulohet nga bashkia për gjithë kohëzgjatjen e kredisë.

 

Puna nuk përfundon me marrjen e “OK” nga bashkia. Përfituesit duhet të bindin më tej bankën ku zgjedhin të marrin kredinë, që janë të aftë të përballojnë këstet mujore për apartamentin, të cilin mund të fillojnë ta shikojnë menjëherë sapo emri i tyre të votohet në Këshill Bashkiak.

 

NDRYSHIMET

Nisur nga problematikat e hasura gjatë zbatimit të programit social “Subvencionimi i Interesave të Kredisë” në vitet e kaluara, nga i cili janë penalizuar një numër i konsiderueshëm aplikuesish,

 

Bashkia e Tiranës e ka parë të udhës të vërë dorë në udhëzim duke bërë disa saktësime dhe shtesa në dokumentacionin që duhet të bëjnë gati 2405 qytetarët që kaluan fazën e parë të përzgjedhjes.

 

Më konkretisht, për të vërtetuar që familja, e cila kërkon strehë, nuk e ka një pronë të dytë, nuk mjafton vetëm vërtetim nga aplikuesi kryesor, por për çdo anëtar të familjes.

 

Madje, përveç kësaj, për të shmangur çdolloj abuzimi, kusht për të qenë fitues është edhe një vërtetim nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, që aplikuesit të mos kenë bërë asnjë transaksion për tjetërsimin e pronësisë në pesë vitet e fundit.

 

Përjashtim bëjnë vetëm rastet kur pronësia mbi to ka humbur për shkak të një fatkeqësie (vdekje apo sëmundje e rëndë) ose force madhore.

 

Përveç shtrëngimeve, bashkia ka bërë edhe lëshime në disa raste. Familjet, në përbërje të së cilës bashkëshortja është me leje lindjeje ose raport, si shumatore të ardhurash në familje, merret për bazë periudha përpara barrëlidnjes.

 

Të privilegjuar janë edhe qytetarët që punojnë në institucionin e Shërbimit Informativ Shtetëror, të cilët mund të dorëzojnë vetëm vërtetimin nga punëdhënësi për pozicionin dhe pagën e tyre.

 

Në listën voluminoze të dokumenteve shabllon që kërkohen për të gjithë qytetarët, në udhëzimin e ri saktësohen edhe ato shtesë për kategori të caktuara që vërtetojnë gjendjen e tyre. Mosplotësimi i kushteve të përmendura përbën kriter skualifikues.

 

Niveli minimal dhe maksimal i të ardhurave të familjeve, kërkohet sipas strukturës së apartamentit që ato përfitojnë dhe do të përcaktohet në të dhënat e përditësuara të Institutit të Statistikave.

 

Programi social i strehimit “Subvencionimi i interesave të kredisë”, i financuar me fondet e buxhetit të shtetit, synon të mbështesë në blerjen e shtëpive të para, me qëllim përmirësimin e kushteve të tyre të jetesës, nëpërmjet kredive hipotekore me kushte lehtësuese.

 

DOKUMENTET PËR KATEGORI TË CAKTUARA

1. Vërtetim nga zyra përmbarimore për masën e pensionit ushqimor që përfiton sipas vendimit të Gjykatës, me përjashtim të rasteve kur ky vërtetim kur nuk ndikon në nivelin e të ardhurave minimale dhe maksimale të përfituesve potencialë.

 

2. Pasqyra financiare për vitin kalendarik të shkuar për personat e vetëpunësuar e njehsuar nga Drejtoria Rajonale Tatimore. Ekstrakt historik nga QKB.

 

3. Vërtetimi nga zyra e punësimit për personat, të cilët janë regjistruar si persona punëkërkues të papunë.

 

4. Vërtetimi për individët në moshë madhore, të cilët ndjekin studimet.

 

5. Vërtetim nga Drejtoria Rajonale Tatimore nëse kanë detyrime të papaguara për personat e vetëpunësuar.

 

6. Vërtetim mbi bazën e vlerësuar/Vërtetim për pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore (pas datës 01.01.2012)./Burimi: Panorama.al


Më të lexuarat