Rekord infektimesh por jo fatalitete, ja bilanci i muajit qe lame pas
Në një muaj janë shënuar pothuajse aq raste sa në të gjithë vitin e kaluar.
Shumatorja e tridhjetë e një ditëve të para të 2022-shit flet për 47 mijë e 386 raste të reja.
Që në ditët e para të pasfestave, u vunë re një numër thirrjesh të pazakonta në Urgjencën Kombëtare, që nuk vonuan të reflektoheshin edhe në totalin e tamponëve që kërkoheshin e rasteve që identifikoheshin në një ditë.
Në ditët kur buletini i MSH tregonte mbi dy mijë raste ditore – rekord i deriasokohshëm – të nesërmen raportohej një shifër edhe më e lartë, duke vendosur kështu një rekord të ri.
Kapërcimi i pazakontë i shifrave në dy vite epidemi mori të tatëpjetën pas 10 janarit, duke kulmuar në datën 18 me 2832 raste të reja. Shifrat kokëforta nuk u ulën për disa ditë më radhë deri në fundin e muajit, që shënuan më pak se një mijë të infektuar në ditë.
Specialistët e fushës, e madje edhe zyrtarë, ia faturuan këtë çakordim të situatës mutacionit të ri “Omicron”, por edhe prezencës së “Delta”- s që u tregua më agresive. Krejt ndryshe nga ç’pritej, spitalet nuk ishin në ditën e tyre më të zeza.
Një strukturë e vetme spitalore, Infektivi, përballoi gjithë ngarkesën me trajtim shëndetësor të të prekurve rëndë me Covid-19. Edhe viktimat për shkak të Covid-19 përgjatë muajit që lamë pas u numëruan me gishtat e njërës dorë.
Në ditët kur mijëra infektime të reja identifikoheshin në vend, filluan të çliroheshin nga koronavirusi mijëra të tjerë, duke fituar kështu imunitet në rrugë natyrale, pavarësisht nëse i ishin nënshtruar apo jo vaksinës më përpara.
Pas një dimri të vështirë, që i kombinuar me gripin stinor rëndoi situatën, shifrat nuk janë më në nivele alarmante. Pas një rënieje të ndjeshme, dje u regjistruan 1533 raste të reja, ndërsa bilanci i fataliteteve arriti në shtatë persona.
Numri i rasteve aktive ka shkuar në mbi 18 mijë, tetë prej të cilave vetëm në kryeqytet. Ndërsa në Spitalin Infektiv janë vetëm 134 pacientë, ku 19 janë në gjendje të rënduar./Burimi: Panorama.al