Secondary Adv

Ne 10 muaj regjistrohen mbi 33 mije biznese ne QKR

Numri i bizneseve fillestare të regjistruara gjatë periudhës janar – tetor shënoi një rritje të ndjeshme. Sipas të dhënave zyrtare të ofruara nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit vetëm për këtë periudhë u numri i bizneseve të reja, të regjistruara i tejkalon mbi 33,125 ose 122.3 % më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2014 ose 98 % më shumë se totali 2014 (16,731).


Po sipas të dhënave të QKR-së gjatë muajit tetor u regjistruan 2,824 biznese ose 2.1 herë më shumë se 2014 (1363). Ndërsa për periudhën korrik – tetor 2015 janë regjistruar 24,189 subjekte ose 5.4 herë më shumë se viti 2014. Ndërkohë në Kuvend është dërguar për diskutim projektligji për krijimin e Qendrës Kombëtare të Biznesit sipas modelit të një one-stop-shop. Kjo nismë e qeverisë ka kaluar pa shumë zhurmë në qeveri dhe është pjesë e reformës për të përmirësuar klimën e të bërit biznes.


Sipas relacionit shoqërues, modeli i QKR-së dhe QKL-së përbën një bazë të mirë për ta thelluar reformën më tej. Duke u mbështetur në praktikën e deritanishme të këtyre institucioneve, në zbatim të reformave të qeverisë shqiptare për konsolidimin e mëtejshëm të shërbimeve të ofruara për biznesin, propozohet krijimi i kësaj qendre, e cila do të mundësojë ofrimin e shërbimit në një ambient të vetëm.


Këtyre shërbimeve do t’u shtohen më vonë edhe shërbime të tjera të ofruara biznesit për të reduktuar maksimalisht vizitat fizike në shumë institucione dhe për të lejuar unifikimin më tej të shërbimeve nëpërmjet sistemit on-line. Krijimi i sporteleve unike për regjistrimin dhe licencimin do të lejojë thjeshtësi për biznesin jo vetëm për regjistrimin dhe licencimin, por edhe duke ofruar nëpërmjet kësaj qendre një këshillim të unifikuar për kërkesat dhe kriteret e regjistrimit dhe licencimit.


Neni 4 i projektligjit përcakton rregullat për organizimin e QKB-së. Hartimi I këtij neni është bërë në bazë të eksperiencës së deritanishme për organizimin e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit dhe Qendrës Kombëtare të Licencimit. Në pikat 1-4, konkretisht, propozohet që QKB-ja të jetë një institucion unik dhe të krijojë sportele të shërbimit për biznesin për të siguruar akses për biznesin në të gjithë territorin e vendit. Neni propozon që sportelet e shërbimit të organizohen dhe funksionojnë:
a) sporteli i vetë QKB-së;
b) në njësitë e qeverisjes vendore si funksion i deleguar;
c) të krijohen në bazë të marrëveshjes me Bashkimin e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë dhe Dhomave të Tregtisë sipas ligjit nr.9640, datë 9.11.2006

“Për dhomat e tregtisë dhe industrisë”. Pika 5 parashikon që numri dhe vendndodhja e sporteleve të shërbimit të bëhet me miratim të ministrit përgjegjës.
Pika 6 parashikon që nëse njësia përkatëse vendore nuk ofron shërbimin e sportelit sipas ligjit, me vendim të ministrit, këto sportele mbyllen dhe zëvendësohen me sportele të vetë QKR-së, që sipas ligjit për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore funksionojnë si degë territoriale të QKB-së.


Neni 5 i projektligjit përmban disa dispozita për drejtimin e QKB-së. Propozohet që titullari i QKB-së të jetë nëpunës civil sipas legjislacionit përkatës. Gjithashtu, parashikohet që titullari i QKB-së, përveç përgjegjësive për menaxhimin e institucionit sipas legjislacionit horizontal (pika 2), të ketë edhe përgjegjësinë për udhëheqjen metodologjike për të gjitha sportelet e shërbimit pavarësisht nëse janë të QKB-së apo funksionojnë në njësitë e qeverisjes vendore apo pranë dhomave të tregtisë (pika 3). Neni 6 i projektligjit përmban disa dispozita procedurale për miratimin e strukturës të QKB-se, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi.


Neni 7 i projektligjit ka për synim të reflektojë marrëdhëniet e punësimit për nëpunësit e QKR-së dhe sporteleve të saj, të cilët propozohen të jenë nëpunës civilë. Ndërsa marrëdhëniet e punës për punonjësit administrativë do të rregullohen nga Kodi i Punës.


Neni 8 i projektligjit ka për synim të reflektojë marrëdhëniet e punësimit për nëpunësit dhe punonjësit e sporteleve që krijohen në njësitë e qeverisjes vendore dhe/apo subjektet e tjera, QKR-së dhe sporteleve. Sipas këtij neni, nëpunësit e sporteleve janë përkatësisht nëpunës të njësisë përkatëse të pushtetit vendor apo punonjës të Dhomës së Tregtisë, pranë së cilës hapet sporteli. Me qëllim unifikimin e shërbimit të QKB-së për publikun, parashikohet që nëpunësit e sporteleve të shërbimit në territor duhet të plotësojnë të njëjtat kritere të posaçme profesionale që duhet të plotësojnë edhe nëpunësit e sportelit qendror të shërbimit të QKB-së. Parashikohet gjithashtu që këta nëpunës u nënshtrohen të njëjtave veprimtari të posaçme trajnimi që sigurohen nga QKBja.


Neni 9 i projektligjit është një dispozitë referuese që përcakton se struktura dhe nivelet e pagave të QKB-së miratohen nga Këshilli i Ministrave. Pika 2 përcakton se QKB-ja nuk ka të drejtë të ndërhyjë në caktimin e numrit të punonjësve apo në nivelin e pagave e të shpërblimeve të nëpunësve të sporteleve në njësitë e qeverisjes vendore dhe të dhomave të tregtisë dhe se këto vendosen nga organet kompetente të njësive të qeverisjes vendore apo të dhomave përkatëse të tregtisë në cilësinë e punëdhënësit.


Neni 10 i projektligjit përmban dispozitat mbi buxhetin e QKR-së duke përcaktuar se për sportelet në njësitë e qeverisjes vendore që japin shërbimin si funksion të deleguar, QKB-ja përballon investimet kapitale, shpenzimet operative si fond i kushtëzuar në një shumë fikse të pandarë si dhe përballon 4 kostot e trajnimeve për sportelet vendore, sipas praktikës aktuale të sporteleve të QKR-së dhe QKL-së. Ndërkohë që për sportelet pranë dhomave të tregtisë, QKB-ja përballon vetëm kostot e trajnimit të stafit, ndërkohë që investimet kapitale e shpenzimet operacionale përballohen nga vetë dhomat.


Neni 11 i projektligjit përcakton rregullat për tarifat e QKB-së. Tarifat ndahen në dy grupe:
a) tarifa për kryerjen e funksioneve të QKB-së;
b) tarifa për shërbime shtesë për biznesin.

Të parat miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa të dytat miratohen nga ministri.


Neni 12 i projektligjit përcakton rregullat për përdorimin e të ardhurave nga tarifat e përfituara nga QKB-ja. Si rregull, të ardhurat nga tarifat derdhen plotësisht në buxhetin e shtetit, pavarësisht se ku mblidhen ato. Sa u përket të ardhurave nga tarifat për shërbimet shtesë 10% do të derdhen në buxhetin e shtetit, ndërsa vetëm 90% do të mbahen nga QKB-ja për t’u përdorur për përmirësimin e shërbimeve. Ky rregullim është i njëjtë më atë të bërë në legjislacionin aktual për QKR-në dhe QKL-në.


Më të lexuarat