
Inflacioni pertej parashikimeve, Sejko: norma baze e interesit nuk ndryshon
Norma e inflacionit pritet të mbetet mbi objektivin e BSH prej 3% nga viti i kaluar si pasojë e çmimeve të larta në tregjet ndërkombëtare.
Kështu deklaroi sot Guvernatori Sejko në konferencën e përmuajshme. Ai tha më tej se inflacioni në vend shënoi një rritje të shpejtë në 3 mujorin e katërt duke arritur në 3.7% në dhjetor 2021 dhe sipas tij, rritja e çmimeve dhe shtrenjtimi i naftës rritën inflacionin në 2021 dhe ishte përtej parashikimeve.
“Informacioni i ri i marrë në analizë tregoi zgjerimin e shpejtë e të qëndrueshëm të aktivitetit të brendshëm ekonomik gjatë gjysmës së dytë të vitit të kaluar dhe përshpejtimin e inflacionit në tremujorin e katërt.
Rritja e inflacionit është shkaktuar si nga faktorë të qëndrueshëm, të lidhur me rritjen progresive të kërkesës, të punësimit dhe të pagave, ashtu edhe nga faktorë tranzitorë, të lidhur me rritjen e shpejtë të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Projeksionet tona sugjerojnë rritje të mëtejshme të ekonomisë në vitet në vazhdim. Norma e inflacionit pritet të mbetet mbi objektivin tonë prej 3% gjatë vitit aktual, si pasojë e çmimeve të larta në tregjet ndërkombëtare.
Këto goditje kanë rezultuar më të forta dhe të qëndrueshme se vlerësimet tona fillestare. Megjithatë, ndikimi i tyre në inflacion pritet të vijë drejt shuarjes graduale gjatë 2022.
Inflacioni pritet të kthehet në mënyrë të qëndrueshme në objektiv gjatë 2023, në pasqyrim të balancimit të kërkesës me ofertën dhe të rritjes së punësimit dhe pagave në linjë me produktivitetin. Në këtë kontekst, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm.
Në gjykimin e Këshillit, niveli aktual i stimulit monetar i shërben respektimit të objektivit tonë të inflacionit, ndihmon rimëkëmbjen e mëtejshme të ekonomisë shqiptare, si dhe ruan një balancë të drejtë midis rreziqeve që çmimet e larta në tregjet ndërkombëtare mund të kenë mbi nivelin e çmimeve dhe aktivitetit ekonomik në vend”, deklaroi Sejko.
Në mbledhjen e 2 shkurt 2022, Këshilli Mbikëqyrës i BSH vendosi që norma bazë e interesit të mbetet e pandryshuar në nivelin 0.5%, dhe normat e interesit të depozitës njëditore dhe të kredisë njëditore në BSH, të mbeten përkatësisht në nivelet 0.1% dhe 0.9%.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë bëri sot publike vendimet e marra. Ai tha se Këshilli Mbikëqyrës shqyrtoi dhe vendosi për miratimin e vendimit “Për pezullimin e shpërndarjes së fitimit nga bankat”.
Në bazë të këtij vendimi, pezullohet deri në fund të vitit 2022, shpërndarja nga ana e bankave, të fitimit të mbartur nga periudhat e mëparshme, dhe të fitimit të realizuar gjatë vitit 2021.
Kjo masë e autoritetit mbikëqyrës, synon të sigurojë mbështetje për bankat, kryesisht nëpërmjet rritjes së aftësisë së tyre për të përthithur humbjet e mundshme potenciale dhe për të mbështetur kredidhënien për klientët individë dhe biznese gjatë kësaj periudhe.
Po kështu Këshilli Mbikëqyrës vendosi të miratojë rregulloren “Për regjistrin publik të ofruesve të shërbimeve të pagesave”. Objekti i kësaj rregulloreje është përcaktimi i subjekteve dhe të dhënave që do të përmbajë regjistri publik i ofruesve të shërbimeve të pagesave dhe agjentëve të tyre.
Ky akt rregullativ del në zbatim të dispozitave të reja të ligjit “Për shërbimet e pagesave”, të cilat parashikojnë detyrimin për përcaktimin me akt nënligjor të formës dhe përmbajtjes së regjistrit publik të ofruesve të shërbimeve të pagesave./Burimi: Balkanweb
Më të lexuarat








