Ndryshon taksa per qumeshtin pluhur, ja kompanite qe perjashtohen
Kompanitë që importojnë apo që prodhojnë në vend do të paguajnë taksa të reja për qumështin pluhur, kremin e qumshtit, hirrën dhe pijet e homgjenizuara.
Sipas udhëzimit të Ministrisë së Financave për “Taksat Kombëtare”, të botuar në Fletoren Zyrtare dhe që tashmë është në fuqi, përcaktohet se taksa për importimin dhe prodhimin e qumështit pluhur është në vlerën 100 lekë/kg.
Taksa për importimin dhe prodhimin e hirrës së qumështit është në vlerën 150 lekë/liter. Taksa për importimin dhe prodhimin e krem qumështit është në vlerën 150 lekë/liter dhe për importimin dhe prodhimin e pijeve të homogjenizuara është në vlerën 16 lekë/litër.
Megjithatë në udhëzim përcaktohet se përjashtohen nga pagesa e këtyre taksave fabrikat e prodhimit dhe përpunimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij, të cilat në etiketën e miratuar nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit kanë të evidentuar sasinë në përqindje të këtyre produkteve që janë trupëzuar në produktin përfundimtar.
Referuar udhëzimit, importuesi e paguan taksën pranë degëve doganore ku kryhen procedurat e çlirimit për qarkullim të lirë, në momentin e kryerjes së këtyre procedurave.
Ndërs për produktet e prodhuara në vend, deklarimi dhe pagesa e taksës në administratën tatimore bëhet nga çdo tatimpagues prodhues së bashku me dorëzimin e deklaratës së taksave kombëtare, brenda datës 15 të muajit pasardhës për muajin paraardhës.
Ndërkaq, specifikohet gjithashtu se taksa e karburantit për mjetet lundruese për qëllime turistike dhe argëtimi, me destinacion përdorimi jashtë ujërave territoriale shqiptare, është në vlerën 40 lekë/litri./Burimi: SCAN