Secondary Adv

Rishikimi i pagave, Vjero: Nga marsi nisin kontrollet fizike ne biznese

Zëvendësministrja e Financave bën me dije se shkresës së administratës tatimore për rishikimin e pagave i është përgjigjur vetëm 33% e biznesve.

 

“Sot po zhvillojmë një takim të parë me mediat, në lidhje me njësinë speciale antiinformalitet, për të ardhurat nga punësimi dhe shërbimet, njësi e cila është ngritur me urdhër të Kryeministrit, nr. 1, datë 5 janar 2022. Unë do të doja të ndaja të dhënat e këtij reagimi të parë nga tatimpaguesit, por edhe individët:

 

29 % është numri i pozicioneve të punës që kanë deklaruar paga në rritje; Është ulur me rreth 28 % numri i pozicioneve të punës me pagë minimale, çka do të thotë që kemi një rritje në pozicionet e e tjera të punës me paga më të larta;

 

33 % e tatimpaguesve kanë reaguar pozitivisht duke rritur pagën e tyre, për më shumë se 30 % të numrit të punonjësve; mendojmë se kjo është një shifër shumë e mirë, duke u nisur se ka patur vetëm një komunikim të parë të Administratës Tatimore në formë shkresore me këta tatimpagues.

 

9184 lekë është rritja mesatare e pagës për tatimpaguesit të cilët kanë reaguar; 3% kemi rritje në kontributet e sigurimeve shoqërore dhe 3% në ato shëndetësore;

 

5 % e pozicioneve të punës kanë prezantuar ulje të nivelit të pagës dhe 67% e tatimpaguesve nuk kanë pasur një reagim, pra vijojnë të mbeten me të njëjtat deklarime dhe me të njëjtin nivel page për të punësuarit e tyre.

 

Lidhur me të gjithë totalin e popullatës të subjekteve, por edhe të vendeve të punës, edhe pse nuk ka qenë target i administratës tatimore, ky total ka prezantuar ndryshime si rezultat i këtij plani dhe mund të themi që numri i pozicioneve të punës që kanë deklaruar rritje në total është 152 mijë apo 25% e totalit të të gjitha pozicioneve të punës.

 

Numri i pozicioneve të punës me rënie të pagës është 11 %. 64 % e pozicioneve të punës nuk kanë ndryshuar nivelin e pagës, ndërkohë që kontributet shoqërore në total janë rritur me 4 % ndërsa ato shëndetësore janë rritur me 6 %.

 

Pra, këto ishin të dhënat lidhur me totalin e të punësuarve dhe jo specifikisht me tatimpaguesit të cilët janë targët i kësaj njësie”. Sipas Vjeros për këtë kategori është krijuar një profil të tatimpaguesit me risk dhe duke nisur nga muaji i ardhsëm do të ketë kontrolle fizike në terren.

 

“Për tatimpaguesit të cilët nuk kanë reaguar, do të vijojë vlerësimi i riskut dhe kryqëzimi i informacioneve nga shumë burime.

 

Ne kemi marrë informacione nga Inspektoriati i Punës, ku rezulton se 46% e tatimpaguesve që janë me shkelje nga Inspektoriati i Punës janë edhe në listën e tatimpaguesve të konsideruar me risk nga Administrata Tatimore dhe që do të jenë më tej pjesë e punës së njësisë.

 

Apo nga informacioni që kemi marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor, rezulton se 572 tatimpagues posedojnë mjete luksi dhe 830 punonjës janë me mjete luksi e ndërkohë rezultojnë me paga minimale, dhe ky numër është pjesë e tatimpaguesve të konsideruar me risk nga kjo njësi.

 

Më tej ne do të vijojmë në vlerësimet e informacionit që do të marrim dhe nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe nga institucione të tjera, siç është Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave apo edhe Policia e Shtetit, për të ndërtuar qartazi një profil tatimpaguesi me risk, i cili më tej do t’i ushtrohet kontrolleve nga kjo njësi.

 

Ne shumë shpejt, deri më fund të këtij muaji, do të kemi përcaktuar tatimpaguesit dhe individët që janë me risk, sepse pjesë e këtyre kontrolleve do të jenë edhe individët, dhe në fillim të muajit të ardhshëm do të vijojë plani i kontrolleve, të cilat do të ushtrohen nga njësia.

 

Por, duke qenë se edhe numri i tatimpaguesve është i lartë, një pjesë e madhe e kontrolleve do të vijojnë paralelisht të ushtrohen dhe nga DPT, Inspektoriati i Punës, pra nga të gjitha strukturat që janë të përfshira dhe që kontribuojnë në punën e kësaj njësie.

 

Deri më tani janë analizuar 10.153 tatimpagues për 142 mijë vende pune./Burimi: Monitor https://www.monitor.al/rishikimi-i-pagave-vjero-reaguan-vetem-33-e-bizneseve-nga-marsi-kontrolle-fizike/


Më të lexuarat