Secondary Adv

Nga 1 shtatori, mbi 900 bizneseve u eshte sekuestruar mall pa fature

Mbi 900 bizneseve iu është konfiskuar mall pa faturë që prej datës 1 shtator që ka nisur operacioni kundër informalitetit. Shifra konfirmohet nga burime zyrtare në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.


Bëhet fjalë për subjekte të madhësive të ndryshme, që ushtrojnë aktivitet në disa sektorë të ekonomisë. Ndërkaq shtryja e afatit deri më 31 dhjetor për njësitë tregtare që kanë mall pa faturë duket se nuk nuk do t’iu shërbejë bizneseve të vogla.Burimet e mësipërme shpjegojnë se afati është lënë kryesisht për njësitë e mëdha tregtare, që kanë sasi të konsiderueshme malli dhe duhet kohë për evidentimin e vlerës së tyre.


Ndërsa dyqanet dhe njësitë e tjera të vogla tregtare duhet të nxitojnë për të bërë vetëdeklaruar mallin dhe për të qenë në rregull për kontrollin e rradhës. Në të kundërt, nëse kapen me mall pa faturë, ai do t’iu konfisohet.Sipas proçedurave, në rastin e konfiskimeve në përgjithësi dhe sidomos në rastin e konfiskimit të mallrave që prishen si ushqime, fruta-perime, produkte bujqësore dhe blegtorale etj, apo që kanë prag të afërt skadence, biznesit që i është sekuestruar mund ta riblejë atë në bazë të vlerës së mallit që përcaktohet nga një Komision i ngritur me jo më pak se 4 persona në Tatime.


Malli i konfiskuar lirohet vetëm pasi të jetë dorëzuar mandati i pagesës së vlerës se tij. Në qoftë së tatimpaguesi përkatës nuk bën pagesën sipas proçedurave dhe afatit të përcaktuar, atëherë mallrat e konfiskuar në mënyrë të menjëhershme, do t’i kalojnë për administrim Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave të Shtetit, e cila do të ndjekë proçedurat e mëtejshme për t’i shpërndarë ato në bazë të emergjencave, apo për t’i shitur në ankand./Ora News


Më të lexuarat