Secondary Adv

Situate jo optimiste per investimet, bizneset e medha ulin kerkesen per kredi

Kërkesa e bizneseve për kredi po vjen gjithnjë e në ulje, duke lajmëruar një situatë jo shumë të favorshme në investime në të ardhmen.


Në një raportim për Bankën e Shqipërisë, bankat tregtare kanë vlerësuar rënie kërkesën e bizneseve për kredi në tremujorin e tretë për të tretin tremujor rradhazi. Balanca neto e kërkesës së vlerësuar është -10.4%. Rënia e vlerësimit për kërkesën në total u ndikua nga rënia e kërkesës së ndërmarrjeve të mëdha, raporton Banka e Shqipërisë. Ndërkohë, kërkesa e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme vlerësohet të jetë rritur në tremujorin e tretë.


Sipas qëllimit të përdorimit, kërkesa e bizneseve për financimin e investimeve ka pësuar rënie më të theksuar sesa kërkesa për financimin e kapitalit qarkullues, kanë pohuar bankat. Në përgjigje të kësaj situate, bankat parashikojnë lehtësim të lehtë të standardeve të kredidhënies për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, por nuk presin ndryshime të mëdha të standardeve për ndërmarrjeve mëdha, për tremujorin e ardhshëm, duke i thënë jo perspektivës për kreditim të biznesit të madh.


Gjithashtu një aksion i qeverisë kundër informalitetit pritet të vërë në vështirësi edhe kthimin e kredive ekzsituese, pasi qeveria gëzon e para të drejtën e sekuestrove për efekt të taksave edhe mbi pasuritë që janë lënë kolateral në banka. Për më tepër, një frenim i aktivitetit të bizneseve nga frika e burgut apo gjobave të stërmëdha mund të nxisë një tjetër cikël të kredive të pakthyera në banka.


Edhe një tërheqje vëmendja e Drejtorisë së Parandalimit të Patrimit të Parave, që “kërcënonte” oficerët e kredisë me burg nëse nuk denoncojnë bizneset me balance të dyfishta pritet të ndikojë negativisht në dhënien e huave. Në gusht, stoku i kredisë për ekonominë zbriti në 550.2 miliardë lekë, duke reflekuar më së shumti rënien e huasë në valutë për korporatat private jo financiare. Në raport me dhjetorin 2014, huaja ka rënë me 1.7%.
Me bazë vjetore (gusht 2015/gusht 2014) reduktimi është me 1.2%. Bankierët pohojnë se arsyeja kryesore që ata nuk po japin hua është mungesa e projekteve të mira për investime nga ana e biznesit. Nga ana tjetër edhe bankat kanë shtuar ndjeshëm kujdesin në kredidhënie, pasi huatë e pakthyera në afat vazhdojnë të jenë mbi 21%.


Bankat janë përfshirë në një proces pastrimi bilancesh nga huatë pa shpresë arkëtimi, që ka ndikuar në reduktimin e stokut të huasë.Megjithatë dhe huaja e re në gusht ishte 7.3% më e ulët në raport me korrikun. Bankat ulën ndjeshëm kredinë deri në një vit, (nga 3.7 në 1.2 miliardë lekë), që përdoret nga biznesi për mbulimin e nevojave afatshkurtër, duke bërë që sipërmarrjet të thellojnë krizën e likuiditetit.


Më të lexuarat