Secondary Adv

Investigimi i VOA per shendetesine, tenderat ne pandemi jo transparente

Organizata Together for Life publikoi në Tiranë një raport, sipas të cilit prokurimet emergjente në përballimin e pandemisë nuk ishin transparente.

 

Studimi thekson që më shumë se gjysma e prokurimeve në shëndetësi kishin vetëm një operator në garë. “Në tenderët e shëndetësisë gara është shumë e kufizuar.

 

Mbi 55% e tenderëve të zhvilluar nga 2016 deri në dhjetor të 2021 kishin vetëm një operator pjesëmarrës në garë, ndërsa 35% kishin më shumë se dy operatorë në garë” – detajoi raporti.

 

Për të njëjtën periudhë, shton raporti, vetëm 47 për qind e tenderëve të zhvilluar patën kontrata të lidhura dhe afro 16 për qind e procedurave u anulluan.

 

Studimi thekson se gara e hapur u përdor vetëm në 31% të shpalljeve dhe se për to ka një seri ankesash për autoritetet kontraktuese, të cilat, sipas vëzhgimit, përpiluan kritere teknike përjashtuese, duke favorizuar në mënyrë jo të drejtpërdretë kompanitë e lidhura me autoritetin kontraktor.

 

Pjesa tjetër, 17% e tenderëve u bënë sipas procedurës me negocim, ndërsa 32% e tyre u bënë sipas procedurës me propozim. “Që nga fillimi i pandemisë e deri në fillim të dhjetorit 2021 autoritet shëndetësore zhvilluan 198 procedura prokurimi mbi përballimin e Covid-19 me vlerë mbi 35 milionë euro.

 

Afro gjysma e tyre, 90 tenderë u bënë vetëm me një operator konkurrues, të cilët përfituan më pothuaj të gjithë fondin limit” – thekson raporti.

 

Për të njëjtën periudhë, nga marsi 2020 deri në maj 2021, institucionet e shëndetësisë kontraktuan 60 kompani për furnizime materiale, që kishin lidhje me pandeminë, vëren studimi, nga të cilat 11 kompani, ose 18% e totalit të kontratave, ishin sekrete.

 

Po ashtu 11 kontrata të treta, ose 18% e operatorëve fitues kishin vetëm vlerën e çmimit për njësi dhe jo shumën totale. Studimi thekson se nga 59 kompanitë që u kontraktuan, vetëm 39 prej tyre morën pagesat brenda vitit të pandemisë.

 

“Shqipëria është ndër të paktat vende në Europë dhe Ballkanit, që nuk ka publikuar të dhëna dhe raporte mbi efektivitetin e përdorimit të fondeve” – thuhet në raportin e organizatës Together for Life.

 

Sipas studimit, menaxhimi i fondeve të shëndetësisë ka mungesa të theksuara transparence dhe llogaridhënie. Autorët veçuan prokurimin e drejtpërdrejtë të marsit 2 vjet më parë për blerjen e 54 respiratorëve me 1.1 milionë euro, nga të cilat një kompani fituese e kontratës sekrete solli vetëm 5 respiratorë.

 

“Si pasojë e mungesës së konsistencës së kodeve të projekteve për përballimin e COVID-19 dhe rishikimeve të shumta pas akteve normative me disa vendime qeverie, gjurmimi deri në realizimin përfundimtar të fondeve COVID-19 ishte i vështirë, thuajse i pamundur” – theksoi organizata.

 

Nga monitorimi doli se të gjitha shtesat e fondeve për ministrinë e Shëndetësisë, të akorduara me vendime qeverie gjatë 2020, nuk janë reflektuar në tabelat shoqëruese respektive të Akteve Normative, ndaj fondet që u akorduan për përballimin e pandemisë shkuan për shpenzime të tjera që nuk kishin lidhje me pandeminë.

 

“Mungesa e transparencës në përdorimin e fondeve për menaxhimin e pandemisë ishte aq e madhe sa u konsiderua si shqetësim nga FMN, i cili nuk ka në thelb të punës së tij monitorimin e tenderëve.

 

FMN informoi se prokurimet emergjente për përballimin e pandemisë nuk ishin transparente dhe i kërkoi Kontrollit të Lartë të Shtetit të intensifikojë kontrollet dhe t’i publikojë ato” – thuhet në raport./Burimi: VOA


Më të lexuarat