Secondary Adv

Nje e katerta e vendeve te lira te punes zevendesime, shkak emigracioni

Përgjatë dy viteve 2019-2020 vendet e reja të punës në një përqindje të lartë janë zëvendësime.

 

Të dhënat e përpunuara nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive tregojnë se, zëvendësimi i punonjësve ofron një të katërtën e vendeve të reja të punës. Zëvendësimet kryhen për shkak të daljes në pension dhe emigrimit të fuqisë punëtore.

 

AKPA njoftoi gjatë vitit 2020 u shpallën 25,141 vende të lira pune. Sipas llojit të vendeve të lira të shpallura 75% prej tyre janë vende të reja pune dhe 24% ishin zëvendësime. Në vitin 2019 zëvendësimet ishin 30 për qind të vendeve të reja të punës.

 

Për shkak të plakjes së popullsisë dhe nivelit të lartë të emigracionit po gjenerohet boshllëk në tregun e punës. Sipas aktiviteteve ekonomike numri më i lartë i vendeve të lira është marrë nga industria përpunuese (49%), informacioni dhe komunikacioni (12%), dhe ndërtimi (8%).

 

Në pjesën më të madhe të kategorive profesionale rreth 76% e vendeve të lira janë të reja të krijuara rishtazi. Në kategoritë profesionale ku kërkohen teknik dhe specialistë të mesëm, nëpunës, zejtarë dhe zanatçinj (32-35)% të vendeve të lira janë vende pune zëvendësime.

 

Analiza tregon se mospërputhje të kërkesës me ofertën, e cila reflektohet në çdo kategori profesionale. Kërkesa për punë fokusohet më tepër në kategorinë e zejtarëve dhe zanatçinjve me 40% të totalit të vendeve të lira të shpallura, ndërsa oferta përbën vetëm 16% të totalit të punëkërkuesve të papunë të regjistruar.

 

Zyrat e Punësimit kanë mundur të plotësojnë vetëm 41% të vendeve të lira të shpallura më 2020. Një pjesë e konsiderueshme e të papunëve te regjistruar në këtë kategori nuk arrijnë të punësohen për shkak të moshës, arsimit dhe profesioneve specifike që ata kanë.

 

Gjithashtu, prej totalit të papunëve të Regjistruar, 49% e tyre janë afatgjatë dhe 30% trajtohen me ndihmë ekonomike. Kategoria e dytë me më shumë vende të lira janë profesionet elementare me 20% të totalit të vendeve të lira të punës, ndërsa oferta përbën 32% të totalit te të papunëve të regjistruar.

 

Nga ana tjetër punëkërkuesit e papunë, të cilët janë pa profesion përbëjnë rreth 18% të regjistrit të punëkërkuesit. Numri mesatar i të papunëve të regjistruar në Zyrat e Punës gjatë 2020, ishte 82,921 individë.

 

Duke e analizuar regjistrin e të papunëve sipas moshës dhe arsimit, vihet re se rreth 49% e totalit të tyre janë mbi 45 vjeç dhe 56% me arsim deri 9 vjeçar, çka e vështirëson integrimin e këtyre në tregun e punës.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/vendet-e-lira-te-punes-nje-e-katerta-jane-zevendesime-efekt-emigracioni/


Më të lexuarat