
Inceneratori i Tiranes mori 26.5 mln euro ne 3 vjet, pa kryer sherbimin
Një raport i fundit paraprak i KLSH për inceneratorin e Tiranës ka gjetur një sërë problematikash me këtë koncesion.
Ndërkohë KLSH ka konstatuar se projekti ka rezultuar që në fillim i papërballueshëm për buxhetin e shtetit, ndërsa bashkisë Tiranë nga 2018 i janë dyfishuar kostot e pastrimit të qytetit, pikërisht për shkak të pagesave që ajo duhet t’u bënte inceneratorëve.
Bashkia Tiranë ka paguar për periudhën 2018-2020 rreth 3.2 miliardë lekë shtesë, krahas kostos së pastrimi prej 3.9 miliardë lekësh.
Prej vitit 2018 deri aktualisht, thekson KLSH, Bashkia Tirane dhe MIE janë duke paguar tarifën prej 29 euro/ton mbetje urbane për incenerimin e mbetjeve për një shërbim ende të pakryer, duke qene se inceneratori ende nuk është përfunduar si objekt industrial për djegien e mbetjeve urbane.
“Aktualisht çmimi i paguar 29 euro/ton nuk është çmimi real i shërbimit qe kryhet, pasi kjo tarifë përfshin edhe incenerimin e mbetjeve proces i cili nuk është kryer deri me sot.
Procedura konkurruese për dhënien e këtij projekti me koncension nuk është kryer në përputhje me parimet e transparences dhe përcaktimet ligjore.
Janë shkaktuar vonesa të konsiderueshme ne afatin e fillimit dhe vijimit te punimeve te projektit, si pasoje e veprimeve dhe mos veprimeve si dhe shmangies nga detyrimet e përcaktuara ne kontrate si nga AK ashtu edhe nga Koncensionari”, thuhet në raportin e KLSH.
KLSH thekson se “për shërbimin e depozitimit dhe trajtimit të mbetjeve, vihet re se si pasojë e mos përfundimit të ndërtimit të impiantit të trajtimit të mbetjeve, Koncensionari ende sot nuk ka trajtuar dhe asgjësuar asnjë sasi mbetjesh të marra në dorëzim.
Pavarësisht mos kryerjes të procesit të trajtimit të mbetjeve, Bashkia Tiranë ka vijuar të kryejë pagesat e plota të tarifës për këtë shërbim”
Subjekt i auditimit ishin Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, si ish-Autoritet Kontraktor qe ka zhvilluar proceduren e prokurimit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, si Autoriteti Kontraktues aktual dhe Bashkinë e Tiranës, si palë në vlerësimet paraprake dhe përdoruese të kësaj vepre.
Periudha nën auditim ka përfshirë vitet 2017 – 2020, te cilat përkojnë me kohen e studimit të koncesionit dhe lidhjes së kontratës e në vazhdim.
Qe nga 2017, landfilli i Sharrës menaxhohet nga një shoqëri private, përfituese e koncesionit me propozim të pakërkuar “Për ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vend depozitimeve ekzistuese”.
Deri më tani, në kuadër të këtij investimi është realizuar rehabilitimi i impiantit ekzistues, ndërsa sipas grafikut të punimeve ndërtimi i impiantit të incenerimit të mbetjeve është ende në proces. Ky është inceneratori i tretë i ndërtuar në vendin tone, krahas atij të Elbasanit dhe të Fierit.
KLSH thekson se Kostot kapitale për inceneratorët e rinj, si dhe funksionimi, mirëmbajtja dhe operimi në mënyrën e duhur të këtyre pajisjeve, nuk janë investim i vogël për qeveritë. Ata kushtojnë shumë për tu ndërtuar dhe për tu operuar, krahasuar me format e tjera të menaxhimit të mbetjeve.
Fillimisht Ministria e Financave theksonte në relacionet e saj se “vetë procedura koncesionare nuk do të ketë efekte shtese në buxhetin e shtetit pas kemi të bëjmë terësisht me nje investim privat”.
Krahas kësaj Ministria parashtronte edhe se investitori kishte kapitalet e mjaftueshme cash, për të mbuluar të gjithë investimin, megjithatë nuk konstatohet ndonjë dokument provues në lidhje me këtë, vëren KLSH.
Burimi: Monitor https://www.monitor.al/klsh-djeg-inceneratorin-e-tiranes-bashkise-iu-dyfishuan-shpenzimet-per-pastrimin-u-paguan-26-5-milione-euro-ne-tre-vjet-kur-nuk-u-mor-sherbimi/
Më të lexuarat









