Secondary Adv

Rruga e Lumit te Vlores, 78 milione euro investim

Projekti i ndërtimit të rrugës që lidh qytetin me zonën e Lumit të Vlorës ka hyrë në fazën finale të konkretizimit, ndërkohë që pritet fillimi i punimeve. Ky projekt përfaqëson investimin më të madh që është bërë ndonjëherë në këtë krahinë.


Kjo rrugë, që përshkon këtë krahinë, duke u nisur nga Vlora me destinacion final bregdetin e Himarës dhe bashkon të gjitha fshatrat e Lumit të Vlorës, merr një rëndësi të jashtëzakonshme, për shkak se i jep frymëmarrje kësaj zone me potenciale të mëdha ekonomike, ku të paktën prej 25 vjetësh kanë munguar tërësisht investimet dhe gjithçka është lënë në tisin e harresës.


Projekti i rindërtimit të rrugës së Lumit të Vlorës
Projekti i ndërtimit të rrugës që përshkon Lumin e Vlorës përgjatë shtratit të Shashicës, mori jetë muaj më parë dhe pikënisja e tij u konkretizua me një marrëveshje mes qeverisë shqiptare dhe asaj të Kuvajtit, e cila mori përsipër financimin e projektit në një vlerë prej 78 milionë euro.
Dhe në vijim të tratativave dypalëshe, dy javë më pare mbërriti në Tiranë një delegacion nga Fondi Kuvajtjan i Zhvillimit Arab të Ekonomisë, me synimin e mbylljes së marrëveshjes përkatëse, që do t’i hapë rrugë vazhdimit të procedurave të mëtejshme ku përfshihet edhe ratifikimi i kredisë në Kuvendin e Shqipërisë.


Anëtarët e delegacionit nga Kuvajti zhvilluan një vizitë edhe në Vlorë, ku panë nga afër edhe zonën ku do të zbatohet projekti. Ata udhëtuan përgjatë rrugës, që aktualisht është në gjendje skandaloze, tërësisht e amortizuar, për shkak të mungesës së investimeve prej së paku 25 vjetësh, ndërkohë që u takuan edhe me drejtues të qeverisjes vendore, mes të cilëve kryebashkiaku, Dritan Leli, prefektja Etjona Hoxha, kryetari i Këshillit të Qarkut të Vlorës, Sadrit Danaj, kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro etj.


Përfaqësuesit e Fondit Kuvajtjan të Zhvillimit konfirmuan akordimin e fondit prej 41 milionë euro që është destinuar për fazën e parë të financimit të rrugës, çka përbën një moment shumë të rëndësishëm në ecurinë e mëtejshme të vënies në jetë të këtij projekti. Faza e parë e ndërtimit të kësaj rruge, që lidh Vlorën me fshatrat Kuç dhe Qeparo, pritet të nisë së shpejti, me përfundimin e procedurave të tjera, që lidhen me përcaktimin e termave të kontratës, afatet e financimit, ratifikimin e në Kuvendin e Shqipërisë. Veç kësaj, pjesë e projektit janë edhe të gjitha degëzimet e rrugëve dytësore të fshatrave që lidhen me aksin kryesor, me gjatësi respektive nga 5 deri në 10 km secila.


Ndërkohë, pak kohë më parë, në përfundim të procedurave që kishte çelur qeveria shqiptare, u shpall edhe firma fituese e projektit të kësaj rruge, “Gjeo Consulting”, me një vlerë prej 1.4 milionë euro, që financohet nga buxheti i shtetit.


Në tërësi, projekti i plotë i rrugës së Lumit të Vlorës, me një vlerë të përgjithshme prej 78 milionë euro, përfshin të gjithë sistemin infrastrukturor që lidh edhe pjesën tjetër të kësaj zone, ku përfshihet Bashkia e Selenicës, Vllahina deri në skajet më të largëta të krahinës, ndërkohë që në perspektivë parashikohet edhe ndërtimi i një ure në lumin Vjosë, që do të realizojë bashkimin me aksin rrugor Levan-Tepelenë.
Veç nxitjes që do t’i japë zhvillimit të qëndrueshëm të zonës, rruga do të mundësojë lidhjen e saj me bregdetin e Himarës, çka krijon një komunikim të ndërsjelltë për këto dy hapësira me veçori karakteristike. Me përfundimin e projektit, do të mundësohet gjithashtu një komunikim i natyrshëm mes fshatrave të kësaj zone me Himarën, një pjesë e të cilave përfshihen ne Bashkinë e re, që përmbledh mes të tjerash edhe territorin e ish komunës Horë-Vranisht.


Aktualisht, kjo rrugë është në një gjendje tepër të rënduar, për shkak të mungesës së investimeve prej më shumë se 25 vjetësh. Vetëm për të përshkuar segmenntin rrugor Vlorë-Kuç, me një gjatësi pak më shumë se 65 km, me një automjet “Fuoristradë” duhen pothuajse 3 orë. Ndërkohë, është pothuajse e pamundur që me një mjet të zakonshëm të udhëtosh përmes saj për në bregdet.


Më të lexuarat