Gjendja civile me sistem te ri, 2 mln euro per permiresimin e sherbimit
Zyrat qendrore të gjendjes civile pritet të përmirësojnë shërbimet e ndërlidhjes me institucionet rajonale si dhe koncesionarin që prodhon dokumentet e identifikimit.
Projekti pritet të zbatohet sapo të mbyllen procedurat e prokurimit të cilat janë nisur tashmë dhe kostoja e parashikuar pritet të jetë rreth 2 milionë euro. Por çfarë synon në vetvete ky projekt.
Referuar dokumenteve parashikohet të realizohet komunikimi online për transmetimin e të dhënave nga çdo zyrë e gjendjes civile me serverat qEndrore ne DPGJC, Datacenterin Qeveritar, pranë AKSHI dhe me kompaninë koncensionare për prodhimin e dokumenteve të identitetit.
Po kështu synohet të bëhet komunikimi voice (zanor) apo telefonik midis zyrave të gjendjes civile me njëra-tjetrën dhe me stafin e DPGJC te realizohet pa kosto te tjera shtesë.
Së treti të arrihet një monitorim i mire i punës se punonjësve te zyrave te gjendjes civile për të rritur cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve, nëpërmjet monitorimit me Kamera IP të ambienteve te ZGJC-ve.
“Qëllimi i këtij prokurimi është përfitimi i shërbimit të rrjetit për lidhjen e qendrës së DPGJC me qendrën DRC të lokalizuar në Datacenterin Qeveritar (pranë AKSHI), me kompaninë koncensionare për prodhimin e dokumenteve të identitetit, me Zyrat e Gjendjes Civile të kërkuara, në këto specifikime.
Gjithashtu ky shërbim do të mundësojë komunikimin zanor pa kosto midis zyrave të gjendjes civile si dhe nëpërmjet një sistemi kamerash të garantojë transparencën dhe ofrimin cilësor të shërbimit ndaj qytetarit.
Rrjeti duhet të ketë karakteristikat e një rrjeti shërbimi bashkëkohor të konvergjuar dhe duhet të mundësojë transmetimin e sigurt dhe pa humbje të të dhënave pa praninë e internetit në këtë rrjet të mbyllur” thuhet në dokument.
Përmirësimi i ndërlidhjes pritet që të përmirësojë më tej aksesin në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile(RKGJC). “Përditësimi i të dhënave në RKGJC bëhet nga nëpunësit e shërbimit të gjendjes civile në zyrat e gjendjes civile në bashki dhe njësi administrative.
Veprimet në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile dhe në aktet e gjendjes civile bëhen me anë të teknikave informatike. Për të mundësuar këtë proces është e nevojshme lidhja në rrjet e zyrave të gjendjes civile me Sistemin e RKGJC” thuhet në dokument.