Secondary Adv

Detyrimet e prapambetura, shlyhet 26 per qind e stokut ne nentor

Ministria e Financave nëpërmjet thesarit shleu 5.6 miliardë lekë (43 milionë euro) detyrime të prapambetura gjatë muajit nëntor 2021.

 

Stoku i detyrimeve të prapambetura vetëm gjatë një muaji u reduktua me 26%, por gjithsesi mbeti 21% më i lartë se në nëntorin e 2021. Pothuajse e gjithë shuma prej 43 milionë eurosh ka shkuar për shlyerjen e kontratave që po kryenin punime në infrastrukturën rrugore.

 

Stoku i detyrimeve në infrastrukturë gjatë nëntorit arriti në 6,6 miliardë lekë, nga 12,3 miliardë lekë në tetor. Me gjithë shlyerjet e nëntorit detyrimet ndaj projekteve të infrastrukturës mbetën 6,6 miliardë lekë ose 52% më të larta se, në nëntorin e 2021.

 

Shlyerjet e detyrimeve kanë qenë edhe më të larta ndaj muajit dhjetor, pasi qeveria akumuloi gati gjysmën e fondit të investimeve kapitale deri në fund të nëntorit.

 

Tepricat që nuk u investuan sipas programimit në zërat e investimeve zakonisht gjashtë dhjetorit rialokohen në zëra që janë realizuar më shpejt.

 

Shuma e detyrimeve të prapambetura që nuk reflektohen në borxhin publik por që janë fatura që qeveria shqiptare duhet ti paguajë arrin në 547 milionë euro, nëse përfshihen edhe vendimet e gjykatave të huaja.

 

Kontrolli i Lartë i Shtetit në analizën për zbatimin e buxhetit 2020 të cilën e ka depozituar edhe në Kuvendin e Shqipërisë evidentoi se, fatura reale që shteti shqiptar duhet të paguajë nga buxheti i shtetit për vendimet e gjykatave ndërkombëtare ka arritur 388 milionë euro në fund të 2020.

 

Shteti shqiptar ka qenë i paditur në gjykatat e huaja ndërkombëtare dhe arbitrazhin ndërkombëtar në 14 çështje gjyqësore. Nga këto rezultoi se janë gjykuar dhe dhënë vendimet për 9 çështje, ndërsa 5 prej tyre presin gjykimin pranë këtyre gjykatave.

 

Për 9 çështjet e gjykuara rezulton se në 5 çështje, në vlerën 388,479,560 euro, janë vendime në disfavor të Shtetit Shqiptar, ndërsa në 4 çështje, në vlerën 10,651,257 euro, janë rrëzuar pretendimet e palës paditëse dhe vendimi ka rezultuar në favor të Shtetit Shqiptar, sipas KLSH.

 

KLSH vërejti se për këto çështje, Avokatura e Shtetit nuk disponon informacion mbi njohjen e këtyre vendimeve pranë Gjykatave të Apelit.

 

Njohja e vendimeve të këtyre proceseve gjyqësore pranë këtyre gjykatave i hap rrugë njohjes së të drejtës për rimbursimin e kostove të paguara më parë nga shteti shqiptar gjatë procesit gjyqësor.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/thesari-shlyen-26-te-stokut-te-detyrimeve-te-prapambetura-ne-nentor/


Më të lexuarat