Secondary Adv

Rriten depozitat ne euro, shenojne vleren me te larte ne 6 vjet

Depozitat bankare në euro vitin e kaluar shënuan rritjen më të lartë në të paktën gjashtë vitet e fundit.

 

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se depozitat bankare në këtë monedhë në fund të 2021 arritën vlerën e 5.4 miliardë eurove, në rritje prej 17.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Gjatë vitit kalendarik 2021, vlera e tyre është zgjeruar me 814 milionë euro. Euro ngelet dominuese në depozita dhe me sa duket ende perceptohet si një valutë më e besueshme nga publiku i gjerë.

 

Kjo mund të lidhet me euroizimin e konsiderueshëm të ekonomisë shqiptare dhe faktit që asetet me vlerë të madhe, kryesisht pasuritë e paluajtshme, kuotohen në euro.

 

Depozitat në valutë të huaj dominojnë strukturën e kursimeve të shqiptarëve në banka, me më shumë se 51% të totalit. Shifrat tregojnë se depozitat në euro janë rritur ndjeshëm si në segmentin e individëve, ashtu edhe në atë të bizneseve.

 

Depozitat në euro të individëve në fund të vitit të kaluar arritën shumën e 4.06 miliardë eurove, me një rritje vjetore prej 15.7%. Individët vazhdojnë të jenë dominues në strukturën e depozitave në euro, me 75% të totalit të tyre.

 

Rritja ishte edhe më e lartë në segmentin e biznesit, ku depozitat kaluan pragun e 1 mld eurove, në rritje me 30.5% krahasuar me fundin e 2020. Rritja e gjendjes së depozitave të biznesit tregon një përmirësim të ndjeshëm të gjendjes së likuiditetit gjatë vitit të kaluar.

 

Kjo u reflektua edhe në një ngadalësim të kredisë afatshkurtër për qëllime likuiditeti që bizneset kanë marrë nga sektori bankar. Struktura e depozitave në euro sipas maturitetit po dominohet gjithnjë e më shumë nga llogaritë rrjedhëse dhe depozitat pa afat.

 

Pesha e tyre në fund të vitit të kaluar arriti në 61% të totalit, nga më pak se 57% që kishte qenë një vit më parë. Kjo është një tendencë që po vërehet te depozitat në të gjitha monedhat.

 

Për shkak se interesat janë në nivelet më të ulëta historike, depozituesit nuk kanë shumë leverdi t’i mbyllin paratë në depozita me afat, por preferojnë t’i mbajnë në llogari rrjedhëse apo depozita pa afat.

 

Rritja e depozitave në euro është një tregues i shtimit të prurjeve valutore në ekonominë shqiptare. Kjo tendencë është reflektuar edhe në kursin e këmbimit valutor, me euron që në fund të dhjetorit preku nivelet më të ulëta në kursin e këmbimit me lekun që prej 2007.

 

Deficiti i llogarisë korente për 9-mujorin 2021 pësoi rënie me 29% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Lehtësimi i kufizimeve dhe hapja e ekonomisë ndikoi pozitivisht në bilancin e të ardhurave nga shërbimet edhe turizmi, ndërsa remitancat vijuan rritjen.

 

Një kontribut të lehtë në rritje dha edhe llogaria financiare, me investimet e huaja direkte, që u rritën me 1.1%./ Burimi: Monitor https://www.monitor.al/depozitat-ne-euro-shenojne-rritjen-me-te-larte-ne-gjashte-vjet/


Më të lexuarat