Projektligji per administraten, demet ndaj buxhetit mbahen nga paga
Në Kuvend është depozituar projektligji që synon të rrisë në një shkallë shumë të lartë përgjegjshmërinë menaxheriale dhe profesionale të punonjësve publike.
Projektligji është propozuar nga deputeti Bujar Leskaj, që më herët ka drejtuar KLSH. Sipas nismës, çdo punonjës publik, i cili gjatë punës ose jashtë saj, me dashje ose nga pakujdesia, i shkakton një dëm pasuror interesave të subjektit publik, është i detyruar të shpërblejë dëmin e shkaktuar.
Drafti përmban në mënyrë të detajuar mënyrën sesi do të nxirret përgjegjësia financiare e dëmit të shkaktuar ndaj arkës së shtetit dhe parashikon kategorizimin e përgjegjësive, mbi bazën e të cilave do të nxirret edhe detyrimi që punonjësi publik ka shkaktuar e duhet t’i rikthejë arkës përmes kësteve mujore që i mbahen nga paga.
“Situata aktuale kur për të vënë në arkëtim shuma të caktuara dëmesh duhet t’i drejtohesh gjykatës edhe për faktin se punonjesit në shumicën e rasteve nuk janë dakord të dëmshpërblejnë vullnetarisht, ka krijuar një ngërç të madh në rikuperimin e dëmeve.
Kjo sepse siç është e njohur për të gjithë, vënia në arkëtim nëpërmjet procedurave gjyqësore bart një kosto të lartë administrative dhe kërkon një kohë shumë të gjatë.
Nëse i referohemi raporteve të publikuara nga KLSH dhe Auditimi i brendshëm, rezulton se vetëm për 2019 shkeljet e disiplinës financiare me dëm efektiv llogariten në 28 miliardë e 312 milionë lekë. Prapa këtyre shifrave qendrojnë dhjetra mijëra zyrtare publike, që vlerësohet se janë përgjegjës për këto shkelje.
E nëse për rikuperimin e këtyre dëmeve do t’ i drejtoheshim gjykatës, atëhere kjo do të mjaftonte për ta futur në kolaps sistemin gjyqësor, i cili nuk ka kapacitete të mjaftueshme për shqyrtimin e rasteve, pa permendur kostot administrative shumë të larta që kerkon ky proces.
Projekti synon që pa cënuar në asnjë rast dispozitat e mësipërme por as të drejtën e punonjësve për një ankim përfundimtar në gjykatë, të sjellë një zgjidhje administrative të ndërmjetme të këtyre konflikteve në mënyrë të shpejtë, të drejtë dhe në funksion të interesit publik.
Projekti synon gjithashtu që të zhvillojë procedura lidhur me caktimin e zhdëmtimit dhe t’i hapë rrugë dialogut lidhur me këtë proces, nëpërmjet transparencës, të drejtes për t’ u mbrojtur për të paraqitur prova dhe për t’u ankuar, kundrejt një vendimi përfundimtar të administrates.
Sipas projektit, vendimet e administratës për caktimin e zhdëmtimit pezullohen, nëse ato ankimohen nga punonjësit publikë në gjykatën kompetente” shkruhet në relacionin e projektligjit.
Një dispozitë tranzitore e projektligjit është ajo që parashikon se “të gjitha detyrimet debitore të pranuara nga punonjësit, përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, konsiderohen titull ekzekutiv dhe nëse nuk shlyhen vullnetarisht i nënshtrohen ekzekutimit të detyrueshëm”./Burimi: SCAN