Secondary Adv

Krijohet regjistri per OJF dhe fondacionet, ulet risku per pastrim parash

Organizatat jofitimprurëse dhe fondacionet, vendase e të huaja do të pasqyrohen në një regjistër elektronik të krijuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.

 

Është publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare vendimi për krijimin e regjistrit elektronik të OJF. Regjistri do krijohet nga KLGJ dhe do administrohet e mirëmbahet nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe do përmbajë të dhëna, që lidhen me themelimin, fushën e veprimtarisë, çdo ndryshim në status dhe formën e organizimit të tyre, të dhëna që i përkasin atyre lidhur me përfaqësimin, si dhe të dhëna të tjera të parashikuara me ligj.

 

Regjistri sjell me vete edhe lehtësi në procedurat e regjistrimit të organizatave jofitimprurëse, ndërkohë që një nxitje tjetër ka qenë edhe MONEYVAL, struktura evropiane kundër pastrimit të parave.

 

Në 2020, Komiteti i Ekspertëve për Vlerësimin e Masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit i rekomandoi Shqipërisë krijimin e regjistrit elektronik, ashtu si dhe përmirësimin e procedurave të regjistrimit të OJF-ve.

 

Në Rekomandimet e Raportit të MONEYVAL vlerësohej se vendi ynë nuk ka ndonjë politikë të qartë për të promovuar llogaridhënien, integritetin dhe besimin publik në administrimin dhe menaxhimin e OJF, duke pasur një qasje të kufizuar ndaj sektorit të OJF dhe komunitetit të donatorëve për çështjet e financimit nga terrorizmi./Burimi: SCAN


Më të lexuarat