ERE miraton rregulloren e re, ja detyrimet per furnizuesit e energjise
Furnizuesit e energjisë elektrike do të duhet të përmbushin një sërë kriteresh, me qëllim ofrimin e shërbimit cilësor ndaj klientëve.
Bordi i Enti Rregullator i Energjisë ka miratuar rregulloren, që është e para e këtij lloji e që ka në fokus arritjen e treguesve të matjes dhe vlerësimit të performancës së shërbimit ndaj klientit, të cilës do t’i nënshtrohen të gjithë furnizuesit e licencuar, përfshirë kompaninë publike.
Gjatë diskutimeve në mbledhjen e bordit, kryetari i Shoqatës Shqiptare të Furnizuesve, Sokol Spahiu kërkoi që të ketë një diferencim për ata furnizues që kanë një numër të kufizuar konsumatorësh, por drejtoresha e mbrojtjes së konsumatorit në ERE tha se rregullorja vendos standarde të njëjta për të gjithë furnizuesit.
Referuar dokumentit, çdo furnizues do të ketë detyrimin të informojë klientët për të drejtat dhe kushtet me të cilat do të furnizohet, mbi çmimet e furnizimit me energji elektrike për periudhën e ofruar apo mbi të drejtën që klientët kanë për të përzgjedhur një furnizues tjerë.
Përveç vendosjes së standardeve që furnizuesit duhet të përmbushin për një shërbim cilësor, rregullorja parashikon edhe të drejtën e monitorimit të këtyre treguesve, nga Enti Rregullator i Energjisë, si dhe vendosjen e gjobave në rast të mosrespektimit të tyre.
Sipas afateve të vendosur, raportimi i parë nga kompanitë furnizuese do të bëhet në janar të vitit 2023, ndërkohë që për shkak të periudhës së miratimit të kësaj rregeulloreje raportimi do të përfshijë periudhën 1 qershor- 31 dhjetor 2022.
Miratimi i kësaj rregulloreje është tejet i rëndësishëm, pasi përveç klientëve të lidhur në tensionin 35 KV, të cilat tashmë kanë dalë në treg të lirë energjie, pritet edhe dalja e rreth 7500 klientëve në 20 KV e që do të duhet të përzgjedhin vetë furnizuesin e tyre të energjisë, duke nënshkruar kontrata individuale mes tyre, ku ndër të tjera përcaktohet edhe çmimi me të cilin do të blejnë energjinë./Burimi: SCAN