700 mln euro deficiti buxhetor ne 2021, 61 per qind u perdor ne dhjetor
Deficiti buxhetor arriti në fund të 2021 në rreth 700 mln euro, prej të cilave 52.7 mld lekë u alokuan në muajin dhjetor, sipas të dhënave nga Ministria e Financave.
Deri në fund të nëntorit 2021 ishte përdorur me vetëm 33 mld lekë prej hapësirës 120,5 mld lekë që ishte në dispozicion gjithë vitin. Të dhënat tregojnë se qeveria përdori në dhjetor 61.5% të deficitit vjetor prej 85.7 mld lekësh të realizuar.
Në raport me planin vjetor prej 120.5 mld lekësh qeveria kurseu rreth 30% të hapësirës në dispozicion.
Gjithashtu realizimi faktik i deficitit të këtij viti ishte 22% më i ulët se i vitit 2020, ku si rrjedhojë e paketave të ndihmës për përballimin e pandemisë qeveria e realizoi deficitin buxhetor në nivelin më të lartë historik prej 110,3 miliardë lekësh.
Në janar të 2021 të ardhurat buxhetore ishin 2 miliardë lekë më të larta se shpenzimet, më tej gjatë nga shkurti në shtator shpenzimet ishin sistematikisht më të larta se të ardhurat, por diferencat ishin më të ulëta se plani.
Në tetor, nëntor shpenzimet ishin më të larta se të ardhurat duke rezultuar me suficit, por në dhjetor deficiti u thellua me rreth 53 mld lekë. Qeveria përdori 700 milionë nga borxhi i ri në 2021 nga rreth 1 miliardë euro që kishte planifikuar.
Edhe pse nuk u realizua tërësisht, përjashto vitin 2020 kur ishte pranishme kriza jo e zakonte që krijoi pandemia Covid-19, deficiti buxhetor faktik ishte më i lartë së paku nga viti 1990.
Vitin e kaluar BSH ngriti shqetësimin se përqendrimi i deficitit buxhetor në një muaj u bë shkak për rritjen e parave jashtë bankave. Gjithashtu përqendrimi i përdorimit të buxhetit në dhjetor edhe në 2020 rriti në mënyrë jo të zakonte llogaritë e bizneseve në banka.
Qeveria mbajti të gatshme hapësirën fiskale të krijuar me borxh me qëllim financimin e disa projekteve të mëdha në infrastrukturë të tilla si Unaza e Re dhe Tuneli i Llogarasë, rrugët Qukës -Qafë Thanë dhe Kardhiq-Delvinë.
Mbajtja në nivele të ulëta e deficitit buxhetor u ndihmua nga rritja e të ardhurave me shume se, plani dhe mosrealizimi i shpenzimeve buxhetore sipas programit, por në fund të vitit pavarësisht ecurisë fiskale në të ardhura qeveria zgjeroi me 60% deficitin buxhetor, në raport me 11 mujorin.