Te vetepunesuarit kryejne evazion me taksat, BB thirrje qeverise
Banka Botërore i rekomandon qeverisë të ndërhyjë, për të taksuar të vetëpunësuarit njësoj si të punësuarit dhe për të shmangur kështu evazionin fiskal tek kjo fashë.
Në raportin e fundit vlerëson se të vetëpunësuarit në Shqipëri, duke përfshirë edhe fermerët arrijnë në rreth 375 mijë persona, por 98.7 për qind e tyre kanë paguar zero tatim për pagat më 2019.
Kjo tregon jo vetëm mbizotërimin e vetëpunësimit në mesin e personave me të ardhura të ulëta, por edhe nën-raportim nga ana e tyre. Qeveria vendosi që nga 1 janari i vitit te shkuar çdo biznes që realizon një xhiro mbi 14 milionë lekë në vit duhet të pagujë 15% tatim.
Për bizneset me xhiro nën këtë vlerë, norma tatimore është 0 për qind. Por kjo ka prodhuar një situatë ku shumë punonjës me paga të larta të regjistrohen si të vetëpunësuar.
Të dhënat e Bankës Botërore thonë se në rreth 8 mijë persona fizikë të vetëpunësuar në Shqipëri, më shumë se 60% janë juristë, dentistë dhe punonjës të teknologjisë së informacionit.
Banka Botërore përllogarit se nëse të vetëpunësuarit do të taksoheshin, në buxhetin e shtetit do të futeshin më shumë se 1 miliardë lekë të ardhura./Burimi: A2CNN