Banka vlerëson se, kërkesa nuk ka arritur të kapërcejë ofertën për pasuri të paluajtshme, ndonëse ka pasur disa faktorë mbështetës, më konkretisht: teprica e kredisë për blerje pasurie të paluajtshme ishte rreth 6% më e lartë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, norma e ponderuar e interesit për kredi për blerje pasurie të paluajtshme shënoi 6.8%.
Duke mbetur brenda prirjes rënëse që ka karakterizuar dy vitet e fundit, kostoja relative e pagesës së kredisë për blerje pasurie të paluajtshme është zbutur, duke reflektuar kushte më të favorshme për blerjen e pronave të paluajtshme nga këndvështrimi i huamarrësit.Nisur nga rëndësia e tregut të pasurive të paluajtshme, që në fillim të vitit 2013, Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me INSTAT, ka ndërmarrë një vrojtim në rang kombëtar, pranë agjencive të tregtimit të pasurive të paluajtshme dhe investitorëve të ndërtimit (gjithsej 230 subjekte).
Agjentët imobilarë kanë pohuar se situata e përgjithshme në tregun e pasurive të paluajtshme për gjashtëmujorin e parë të vitit 2015, është negative. Nga ana tjetër, numri i pronave të regjistruara për herë të parë pranë agjencive të tregtimit për shitje, në rang vendi, ka rënë, i ndikuar kryesisht nga banesat. Agjentët vlerësojnë se rreth 70% e pronave të paluajtshme të shitura prej tyre janë blerë me hua, në krahasim me 60% në shtator 2014. Në terma mesatarë, kredia zë rreth 56% të vlerës së banesës, duke reflektuar luhatje të lehta që nga fillimi i vrojtimit./Monitor