Shqiptaret pa ngrohje, 20.7 per qind e tyre nuk kane mundesi financiare
Me ardhjen e stinës së ftohtë, shqiptarët nisin të mendojnë se çfarë forme ngrohje do të përdorin, dilemë e cila lidhet drejtpërdrejtë me të ardhurat e familjes.
Ndërkohë që, përpos burimit të ngrohjes në rrethe të ndryshme, një tjetër çështje e cila bëhet më evidente është se sa % e familjeve ka realisht akses në një formë ngrohje a një tjetër.
Në raportin më të fundit të INSTAT për Statistikat Rajonale 2015, tregon se banorët e qarkut të Kukësit janë ata të cilët kanë akses më të ulët se të gjithë qarqet e tjera, në format e ndryshme të ngrohjes, me një shifër prej 57 %. Pra, 43 % e banorëve të këtij qarku nuk kanë akses ndaj asnjë forme ngrohje gjatë muajve të ftohtë, që sipas gjasave, ky qark i ka ndër më të acartët në mesin e qyteteve të tjera.
Ndërkaq, të tjerë qarqe që kanë aksese të ulëta janë Fieri 63,2 %, Korça 70.8%, Berati 71 % dhe Durrës 77.2 %. Situata duket më e përmirësuar për qarqe si: Tiranë 86.7%, Vlorë 87,1 % dhe Lezhë 88.4 %, qark i cili ndonëse % e aksesit më të lartë, gjithsesi 11.6 % e banorëve nuk ka akses në asnjë formë ngrohjeje.Ndërsa si total, 79,3 % e shqiptarëve kanë akses në ngrohje dhe 20.7 % kanë mungesë totale të mundësisë së ngrohjes.